Paralajmërim i NATO-s për rrezikun rus: Bisha dëshiron ta ketë nën kontroll Ballkanin Perëndimor

NATO është zotuar t’i ndihmojë fqinjët e Rusisë për të mbijetuar si kombe të pavarura, duke thënë se rezultati i luftës është i një “rëndësie ekzistenciale” për vendet si Moldavia dhe Gjeorgjia, shkruan Sky News, përcjell Periskopi. Pas bisedimeve dyditore në mes të ministrave të jashtëm të NATO-s, përfaqësuesi i Estonisë, Urmas Reinsalu, tha: “Mesazhi […]
Pas bisedimeve dyditore në mes të ministrave të jashtëm të NATO-s, përfaqësuesi i Estonisë, Urmas Reinsalu, tha: “Mesazhi është i qartë: të gjithë aleatët e NATO-s janë të vetëdijshëm se bisha gjithashtu dëshiron të ketë nën kontroll Ballkanin Perëndimor dhe ne duhet- nëpërmjet mbështetjes praktike- t’i ndihmojmë këto vende për të mbijetuar”.
Fokusi i bisedimeve të sotme ishin Bosnja, si dhe ish-republikat sovjetike të Moldavisë dhe Gjeorgjisë- të cilat kanë rajone të okupuara prej trupave ruse.
“Pika kryesore e gravitetit për këto kombe, për Moldavinë dhe Gjeorgjinë sigurisht që është rezultati i kësaj lufte. Kjo është e një rëndësie ekzistenciale për integritetin e tyre territorial dhe për të drejtën e tyre në të ardhmen për të caktuar mënyrën e tyre të jetesës”, tha ai.
Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se këto vende duhen të mbështeten tani.
“Këto vende janë të prekura prej ndikimit rus në mënyra të ndryshme prej Ukrainës, por është më mirë të mbështeten tani sesa të shohim zhvillime që shkojnë krejtësisht në një drejtim të gabuar siç e kemi parë me pushtimin e Ukrainës më herët këtë vit”, shtoi Stoltenberg.
Liderët evropianë kanë shprehur frikën e tyre se vendet jugore dhe lindore të kontinentit do ta humbin durimin e tyre duke pritur për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO- e cila do t’i linte ato të hapura për jostabilitet, si dhe përpjekje ruse dhe kineze për të përfituar influencë.
Ministrja e Jashtme boshnjake, e cila u ftua t’i bashkohej takimit të NATO-s, tha se ishte e shqetësuar rreth qëllimeve ruse ndaj vendit të saj, duke paralajmëruar: “Ne kemi përfaqësues rusë në qeverinë tonë dhe ndarja në vendin tonë është e thellë”, tha ajo. /Periskopi/












