“Moskoordinimi me Amerikën e ka sjellë vendin në kaos” – Çka nëse rrëzohet Qeveria Kurti?

Thirrjet dhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë hasur në vesh të shurdhër në Qeverinë Kurti. Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se janë zhgënjyese, dëshpëruese dhe shqetesuese raportet të cilat i ka qeveria me aleatin më të madh të vendit, shkruan Periskopi. Analisti i njohur, z. Shkodran Ramadani, në një pronocim për Periskopin […]
Analisti i njohur, z. Shkodran Ramadani, në një pronocim për Periskopin ka vlerësuar se moskoordinimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka sjellë kaosin në Veri dhe ka kthyer situatën shumë vite mbrapa.
“Këtu po shihet që ka një mosmarrëveshje të madhe sa i përket kronologjisë së proceseve. SHBA-të në mënyrë eksplicite e kanë bërë të ditur që vendimi i qeverisë për konfiskimin e targave është ligjor dhe e drejtë e Kosovës, por po kërkojnë vetëm të shtyhet. Pra, nuk është në dukje të parë, një fyerje e madhe. Megjithatë, në praktikë kjo po prodhon telashe dhe pika tensionimi. Ky moskoordinim ka kriju kaosin në veri. I ka ngritur tensionet dhe e ka kthy situatën shumë vite mbrapa, ku serbët nuk marrin pjesë në asnjë institucion. Mospajtimi me këto masa dhe moskoordinimi me SHBA-të i ka sjellë raportet me Amerikën në një pikë shumë të ulët”, thotë z. Ramadani për Periskopin.

Shkodran Ramadani – njohës i çështjeve politike
Ramadani ndër të tjera thotë se nuk janë në pyetje vetëm targat, ashtu siç Lëvizja Vetëvendosje po i paraqet, por SHBA-të sigurisht se nuk janë duke e parë në atë mënyrë, sipas tij.
“Prandaj, kemi këto sanksionimet. SHBA po kërkon me shty, këta nuk po e shtyejnë e këtu u kriju problemi sepse është duke e penguar dialogun. Është një pikë që e ka pengu gjithë procesin, targat janë vetëm një element në mesin e krejt këtij procesi të madh”, shtoi ai.
Tutje, Ramadani ka komentuar edhe për anulimin e vizitave në SHBA për ministrat në Qeverinë Kurti. Sipas tij, ky është një lajm i keq sepse tregon një degradim të raporteve Kosovë-Amerikë.
“Absolutisht ky vendim është shqetësues. Është hera e parë në histori të Kosovës që SHBA-të, në njëfarë mënyre, sanksionojnë udhëheqësit, figurat drejtuese – ministrat në qeverinë e Kosovës. Ky është një lajm i keq, për shkak që tregon një degradim të raporteve Kosovë-Amerikë. Degradim të raporteve të Kosovës me aleatin më të rëndësishëm të Kosovës, pa të cilën Kosova nuk do të mund as të çlirohej e as të shpallte pavarësinë apo të ndërtonte institucionet dhe të pranohej nga 116 shtete.
Çka nëse Qeveria Kurti rrëzohet? – Një analizë mjaft interesante nga z. Ramadani, e cila paraqet një problem të madh dhe shumë serioz.
“Pra, është diçka që po na brengos të gjithëve, përshkak që tashmë në Kosovë kemi një qeveri që ka 51% të votave, që e bën problemin edhe më serioz. Sikur të ishte një qeveri e cila lehtë mund të zëvendësohej, atëherë do ta kishim më të lehtë ruajtjen e raporteve me SHBA-të, por kemi një qeveri me kaq shumë vota dhe e bën këtë problem edhe më të madh. Edhe nëse do të bie në përqindje, prapë do të jetë partia më e madhe në vend edhe për disa vende. Pra, është një problem i cili nuk përfundon me këtë qeveri, edhe nëse rrëzohet dhe bjen nga pushteti. Është diçka që do të na paraqet telashe edhe në vitet në vazhdim, edhe nëse e dërgojmë në opozitë VV-në, ajo do jetë një parti gjithmonë agresive, e dhunshme dhe do të bëjë telashe gjithnjë”, tha ai.
Tutje ai thotë se një mesazh tjetër i qartë për Qeverinë Kurti pasi ministrave të tij iu refuzuan vizat, është edhe më i rëndë kur tashmë është bërë e ditur që Memli Krasniqi e Lumir Abdixiku do të shkojnë për vizitë në ShBA.
Krejt në fund, Periskopi e ka pyetur z. Ramadani në lidhje me planin franko-gjerman, por i njëjti nuk ka dashur ta komentoj, pasi ende nuk është publikuar ndonjë dokument zyrtar. Megjithatë sipas tij, është për keqardhje që më shumë prioritet i jepet Francës e Gjermanisë sesa Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Do të rezervohesha për planin franko-gjerman sepse nuk kemi një dokument zyrtar, kemi vetëm thash e theme të shtrembëruara në përputhje të interesave të palëve që i promovojnë ato. Njëra palë thotë është shumë favorizues, tjetra thotë është shumë e dëmshme, prandaj jemi të çorientuar dhe nuk e komentoj këtë”, përfundoi z. Ramadani.
Në lidhje me raportet e Qeverisë dhe SHBA-të ka reaguar edhe ish-zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha, ku ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka nxjerrë “më të keqën” e shoqërisë kosovare me vendimet e tij.
Ai thotë se Kurti nxiti polarizim dhe zgjoi sentimentin kundër Amerikës dhe Perëndimit.
“Albin Kurti, si askush më parë në Kosovë, ka arritur të nxjerrë më të keqen e individit dhe shoqërisë. Asnjëherë në këtë nivel brenda kombit shqiptar nuk ka pasur polarizim të këtillë, gjuhë jotolerante deri të ndytë dhe shtresime të skajshme. Albin Kurti vazhdoi jotolerancën me komunitetin serb duke e prurë situatën dhe raportin e tyre me shtetin e Kosovës në një nivel edhe më të ulët se në periudhën e shpalljes së pavarësisë. Albin Kurti zgjoi si askush më parë në popullatë sentimentin otomano-komunist për t’i ndërsyer kundër Amerikës dhe Perëndimit në përgjithësi”, ka shkruar Berisha.

Ish-zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha
Berisha tha se kjo sjellje e rrezikshme e Albin Kurtit ka për qëllim krijimin e një realitetit të ri politik, që, sipas tij, është fund e krye antidemokratik e antiperëndimor.
“Dhe me vetëdije duke i rrezikuar të arriturat e deritanishme dhe duke e shndërruar rastin e Kosovës në modelin palestinez, model që fund e krye dirigjohet nga Rusia”, shkroi ai.
Edhe zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu përmes një postimi në Facebook, ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti në lidhje me refuzimin e vizave të deputetëve për në SHBA.
“Është zhgënjyese, dëshpëruese dhe shumë shqetësuese deri ku kanë degraduar raportet tona me SHBA-t sa që zyrtarisht nuk lejohen të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara pjesëtarët e Qeverisë Kurti”, ka shkruar ka ai.
Teksa këtë e kosideron si dëshmi se nuk ka kordinim të Qeverisë me SHBA-të.
“Ky është sanksionim i drejtpërdrejt. Kjo është dëshmi e fortë se nuk ka as koordinim, as planifikim të strategjive të Qeverisë Kurti me SHBA-n. Për rrjedhojë, nga SHBA-t është zgjedhur ky lloj refuzimi që nuk mund të quhet as miqësor e lëre më i shkëlqyeshëm, përndryshe në rrethana tejet të vështira për vendin tone”, ka thënë Abdullahu.

Faton Abdullahu, zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës
Tutje ai është shprehur se Qeveria Kurti nuk është duke e kuptuar drejtimin në të cilin po shkon, pasi që sipas tij, kjo qasje e SHBA-së ndaj Kosovës është një brengë alarmuse.
“A është kjo Qeveri duke e kuptuar se drejtimi në të cilin po shkon nuk është i duhuri? A është kjo Qeveri duke e kuptuar se kjo qasje e SHBA-s me këtë refuzim është metodë të cilën ajo e përdorë për ta shprehur zhgënjimin e madh dhe brengën alarmuese. A është duke e kuptuar kjo Qeveri se krejt kjo mund të kaloj edhe në faza të tjera edhe më refuzuese? ”, ka thënë ai.
Abdullahu ka thënë se opozita është duke u keqkuptuar nga kjo Qeveri dhe sipas tij, qeveritarët po përdorin gjuhë linçuese ndaj tyre.
“Ndërkohë që ne si opozitë jemi duke u munduar të jemi kooperativ me atë që po bëjmë, me vlerësimet që po i japim bile edhe të jemi konstruktiv me gjuhën opozitare që po përdorim. Por krejt kjo si duket jo vetëm që po keqkuptohet, por gjuha linçuese fyese dhe përjashtuese e qeveritarëve sa vjen e shtohet. Është kjo qasje armiqësore ndaj opozitës që nxit edhe kërcënime me jetë kundër mendimit tonë opozitarë, siç ishte rasti që u bë publik, ai me Kryetarin e grupit tonë parlamentar (PDK) z. Abelard Tahiri”, ka përfunduar Abdullahu.
Kujtojmë se Presioni ndërkombëtar e sidomos ai amerikan, u intensifikua për Qeverinë e Kosovës, në lidhje me shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targa dhe fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit.
Ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili në një takim me gazetarët në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë, tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë me gjobitjen e shoferëve që ngasin makina me targa të tilla.

Jeffrey Hovenier, ambasadori i SHBA në Kosovë
LEXO EDHE: Hovenier: Të fillojnë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit
Hovenier tha se e ka kërkuar një gjë të tillë direkt nga Qeveria.
I pyetur nëse ajo u është përgjigjur kërkesave të tij, Hovenier tha:
“Mendoj se ju e dini, ashtu sikurse unë, se si po u përgjigjet Qeveria kërkesave aktualisht. Por, unë jam diplomat, dhe kjo do të thotë se unë gjithmonë kërkoj rrugë pozitive përpara. Më duhet të besoj se mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara, që është në interes të të gjithëve dhe në interes të paqes dhe sigurisë”.
Ai tha se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Qeverinë e Kosovës, por shtoi se “nuk mund të konfirmoj se Qeveria ka ndërmarrë veprimet që ia kemi kërkuar”.
Hovenier theksoi se nga këndvështrimi i SHBA-së, Qeveria e Kosovës ka të drejtë në zbatimin e planit të saj, por, sipas tij, ekzistojnë “shqetësime reale për mënyrën e zbatimit”.
Së fundi edhe i dërguari i posaqëm i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, i ka bërë të qartë qeverisë Kurti se kërkesat e tyre duhet të përmbushen.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar
“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai. /Enis Rrustemi -Periskopi/
A po e thotë të vërtetën Albin Kurti për raportet me SHBA-në?
EKSKLUZIVE: As Alban Hyseni nuk shkon në Amerikë – i shtyhet vizita












