Krejt çka ndodhi deri tash nga krimi monstruoz ndaj shtatzënës në QKUK

Vendi u trondit sonte nga një krim monstruoz para Spitalit të Gjinekologjisë. Viktima një shtatzënë 35 vjeçare, që dyshohet se u qëllua me plumba nga ish-burri i saj. Periskopi përmbledh gjithçka që ndodhi nga ora 18:00 e deri tash… Policia konfirmon vrasjen e gruas në QKUK, ishte 35 vjeçe – S’përmend të arrestuar Policia e […]
Policia konfirmon vrasjen e gruas në QKUK, ishte 35 vjeçe – S’përmend të arrestuar
Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e një gruaje në oborrin e QKUK’së, që po dyshohet se ishte shtatzënë.
Flora Ahmeti për Periskopin ka dhënë detaje.
”Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes.”
‘Ishte kërcënuar më herët’: 35 vjeçarja dyshohet se u vra nga ish-burri, ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë
Periskopi nga burime brenda Spitalit të Gjinekologjisë ka mësuar se gruaja në fjalë ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë, ndërkohë që ishte e kërcënuar edhe më herët nga ish burri i saj, i cili po dyshohet se e vrau, dhe me të cilin po priste fëmijën.
Sipas informacioneve, viktima kishte dalë të blejë gjësende ushqimore, e ndërkohë që qëndronte ulur jashtë, ishte qëlluar me plumba.
Periskopi nga vendi i ngjarjes raporton se po merren në pyetje stafi dhe dëshimtarët brenda.
Shtatzëna e vrarë, SHSKUK’ja reagon me versionin e policisë
Përmes një njoftimi në Facebook, ShSKUK’ja, konfirmon se sonte rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së ka ndodhur një vdekje
Në njoftim thuhet se organet policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe dyshimet e para nga Policia janë se bëhet fjalë për vrasje.
“Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”.
Shtatzëna e vrarë në QKUK ishte nga fshati ‘Llukagji’ i Lipjanit
Viktima ishte nga fshati Llukagji i Lipjanit me inicialet K.K, mëson Gazeta Blic.
Tërhiqet viktima nga ekipi i Forenzikës dhe IM

Dalin emrat: Ky është burri që vrau gruan shtatzënë (Foto)
urimet nga QKUK-ja bëjnë me dije për Sinjalin se i dyshuari për këtë rast është Sokol Halili, 31-vjeçar i cili dyshohet se e ka qëlluar ish-bashkëshorten Hamide Magashin, 35-vjeçare, nga fshati Llugagji i Lipjanit dhe më pas ka ikur.
Motra e gruas së vrarë në QKUK: Policia ishin të informuar për rastin
Mirushe Lohaj, motra e gruas shtatzënë, që dyshohet se u vra nga burri i saj para klinikës së Gjinekologjisë, ka thënë se policia ka qenë e lajmëruar katër muaj më parë për rastin.
“Rastin e kena lajmeru menjeherë policia që katër muj e ka ditë gjendjen e saj qysh e ka. Na jena kanë e kena vizitu dje, vjehrra e saj e kunata ishin kane aty. Policia na kallxunen qetu”, deklaroi motra e viktimës në tv dukagjini.
MD e konfirmon se gruaja kishte kërkuar ndihmë nga organet e drejtësisë
Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, ka thënë se gruaja shtatzënë, e cila u vra këtë të mërkurë, kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse.
Bala tha se institucionet e sigurisë duhet ta shtojnë përgjegjshmërinë, dhe viktimave të dhunës t’u jepet përkrahja e plotë.
Ajo theksoi se lufta ndaj fenomenit të dhunës duhet të jetë e gjithë shoqërisë dhe të mos reduktohet vetëm në institucione.
Gruaja shtatzënë, e cila ka humbur jetën, është qëlluar me armë zjarri nga një person, i cili dyshohet se është burri i saj. Kështu ka bërë të ditur një anëtar i stafit të QKUK-së për Radio Dukagjini.
Jetën e kanë humbur edhe gruaja edhe fëmija, dyshohet se vdekja e tyre ka qenë e menjëhershme.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në QKUK, pranë klinikës së Gjinekologjisë. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka thënë se viktima dyshohet të jetë e moshës 35-vjeçare.
Prokurori: I dyshuari ishte denoncuar disa herë për dhunë në familje, mbi viktimën u shkrepën tre plumba
Prokurori i rastit, Ilaz Beqiri ka thënë se ndaj Sokol Halilit ka disa raste të paraqitura në organet e hetuesisë për dhunë në familje.
“Ka pasur të raportuara disa raste të dhunës në familje, por detajet ende nuk i di”, ka theksuar Beqiri.
Tutje, prokurori shtoi se në vendin e ngjarjes kanë gjetur tri gëzhoja të plumbave, që supozohet se shtatzëna është qëlluar tre herë.
Ai ka theksuar për Insajderin se i dyshuari është në kërkim dhe se për të është lëshuar urdhërarrest.
Kurti për vrasjen në QKUK: Dy shqiptarë më pak, do jenë duke menduar armiqtë tanë
Kurti e ka cilësuar rastin si një vrasje mizore.
“Dy engjëj në qiellin e pistë
Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”.
Osmani për krimin ndaj shtatzënës: Asnjë vajzë e grua më shumë, është thirrje kombëtare për gjithë ne
Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.
Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.
Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!
Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.
Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.
Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!
Konjufca për rastin tronditës: Gratë dhe vajzat nuk janë vetëm në këtë betejë
Sonte u troditëm nga vrasja makabre e gruas 35 vjeçare, në oborrin e QKUK-së, që rezulton se ishte shtatzënë në ditët e fundit të pritjes për ta sjellë në jetë fëmijën e saj.
Edhe një vrasje e një gruaje nga burri i saj brenda pak ditësh pasi një tjetër grua u vra me sëpatë nga burri i saj në shtëpinë e saj.
Në momente të tilla, nuk ka fjalë që përshkruan mllefin dhe dhimbjen që secilin prej nesh ndien.
Ngjarje si këto në javën e fundit, pikërisht në kohën kur po shënohet fushata globale kundër dhunës me bazë gjinore, tregon domosdoshmërinë për përkushtim dhe reagim institucional e shoqëror. Gratë dhe vajzat nuk janë vetëm në këtë betejë.
Iu bej thirrje institucioneve të rendit të bejnë çmos që ta kapin vrasësin. Kurse institucioneve të drejtësisë që t’ia japin dënimin e merituar.
Bashkëndiej me familjen, të afërmit dhe miqtë e viktimës dhe iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
U.d ministrja e Shëndetësisë: Plumba mbi një grua – burim i jetës, që nuk e lanë të bëhet nënë
Ushtruesja e detyrës së ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha, është shprehur e tronditur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborr të Gjinekologjisë.
Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, që siç shprehet, mezi po e shkruan, i bëri thirrje organeve relevante që të veprojnë pa kompromis, duke i shprehur ngushëllime familjarëve e të afërmve të viktimës.
“Plumba mbi një grua – burim i jetës, që nuk e lanë të bëhet nënë. Plumba që shuan një jetë që sapo po zinte fill. Në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë ku gruaja po priste të bëhet nënë!”, shkroi Gexha.
“E tronditur, sa mezi po shkruaj, shpreh indinjatën më të thellë për këtë rast makabër. Qëndroj pranë e solidarizohem edhe me punonjësit shëndetësor e gratë e shtruara në këtë klinikë që ky akt makabër i ka tronditur”.
“Si një grua dhe nënë e dy vajzave, si mjeke, nuk dua që ato e asnjë grua e vajzë tjetër të ndihen të pasigurta në shoqërinë tonë. Për këtë do të angazhohem me të gjitha forcat që kam”, shprehet Gexha.
“Kjo më s’është gjendje normale”, Abdixhiku reagon pas vrasjes së gruas shtatzënë
Postimi i plotë:
Ende pa u bërë një javë nga vrasja e arsimtares së gjeografisë nga burri i saj në Prishtinë, një ngjarje tjetër trishtuese godet shoqërinë tonë.
Sërish një grua, në javën e fundit të shtatzënisë, bëhet viktimë e një krimi monstruoz. Kjo më s’është gjendje normale; e ne nuk mund të normalizojmë vetëm me reagime këtë alarm nacional që na shpërfaqet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme para sysh tani nga dy herë në javë.
Fjalët tani humbin peshën. Asgjë çfarë themi sot nuk kthen prapa jetën e shuar të një gruaje të pambrojtur e jetën e pa nisur të një fëmije. Si prind e familjar ndjej dhimbje dhe mllef për humbjen e trishtë të kësaj mbrëmje. Si pjesë e spektrit politik, ndjej obligimin njerëzor për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas që ka marrë karakter nacional tashmë. Ky duhet të jetë misioni ynë parësor sot.
Ka diçka thellësisht të tmerrshme brenda shoqërisë sonë; dhe ne nuk mund të sillemi në cikël të njëjtë reagimi; nga dhuna në reagim, deri në fatalitetin tjetër. Na duhet një veprim kombëtar, nga policia tek prokuroria e gjyqësia, nga edukimi e mbështetja kolektive, për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas drejt e në rrënjë. Kosova mundet më ndryshe. Shoqëria jonë duhet të jetë më ndryshe.
Ftoj organet e rendit dhe sigurisë të veprojnë me përgjegjësi e pa kompromis ndaj rastit të sotëm. Familjes, të afërmve e miqve, u shprehi ngushëllime. Kjo humbje jete, si çdo tjetër, është plagë që rëndon mbi të gjithë.
Haradinaj: Vrasja në QKUK, kundërshton traditën shqiptare dhe logjikën njerëzore
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur i tronditur pas raportimeve për vrasjen e një gruaje shtatzënë në hapësirën e QKUK-së.
Ai ka thënë se vrasja është akt i shëmtuar dhe qyqar, që bie në kundërshtim me traditën shqiptare dhe logjikën njerëzore.
“I tronditur nga lajmi për vrasjen makabre që ndodhi në SHSKUK. Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore. Nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit dhe ligjit, por duhet një mobilizim i joni si shoqëri, në të gjitha nivelet, që të tilla tragjedi të parandalohen e të mos i përjetojmë asnjëherë. Ndajmë dhembjen me familjen dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Miftaraj: Kur mekanizmat e shtetit dështojnë, i numërojmë viktimat
Ehat Miftaraj ka shkruar:
Kosova s’ka Ministër të Shëndetësisë!
Qeveria e Kosovës aktualisht janë në luftë me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial, nuk flasin, nuk komunikojnë mes vete.
Në Kosovë ka filluar kampanja “16 ditët e aktivizmit” kundër dhunës! Të gjitha aktivitetet e kësaj kampanje deri tani injorohen dhe nuk ka përfaqësim nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial.
Sot Gjykata Kushtetuese i ka kthyer përgjigje Institutit të Kosovës për Drejtësi, se ende e ka në punë rastin e vrasjes së Sebahate Morina. IKD përmes QNJ e kishte dërguar këtë rast në Gjykatën Kushtetuese para afërsisht 15 muajve, për dêshtimin e shtetit për të garantuar të drejtën në jetë te të ndjerës Sebahate Morina. As pas 15 muajve Gjykata Kushtetuese nuk ka marr vendim për këtë rast të ndjeshëm.
Kur krejtë mekanizmat e shtetit dështojnë, ne do të vazhdojmë ti numërojmë viktimat! Viktimat e krimit, fatkeqësisht për shtetin janë kthyer në statistika.
Përderisa shtetin, pushtetin, mekanizmat e shtetit i shohim si tifoz te nje klubi futbollistik dhe jo si qytetarë që kërkon llogari pse s’kemi Ministër shëndetësie, pse nuk bashkëpunon qeveria me KGJK dhe me KPK, dhe shume PSE tjera pse nuk funksionojnë mekanizmat e shtetit, do te vazhdojmë te vajtojmë per viktimat qe shteti po i le ne balte.
Ngushëllime familjes se te ndjerës!/Kaltërina Misini – PERISKOPI/












