Korenica thotë se edhe deputetë tjerë të VV’së u sanksionuan shkaku i Kodit Civil

Deputeti i VVsë, Visar Korenica pas shkarkimit nga pozita e Koordinatorit të Qendrës së kësaj partie në Rahovec, ka folur më hollësisht për Periskopin, ku tha se ky vendim është jo demokratik. Ai ka bërë të ditur se përveç tij, janë përjashtuar edhe disa nga asambleistët e kësaj dege, për të njëjtën arsye. “Ka qenë […]
Deputeti i VVsë, Visar Korenica pas shkarkimit nga pozita e Koordinatorit të Qendrës së kësaj partie në Rahovec, ka folur më hollësisht për Periskopin, ku tha se ky vendim është jo demokratik.
Ai ka bërë të ditur se përveç tij, janë përjashtuar edhe disa nga asambleistët e kësaj dege, për të njëjtën arsye.
“Ka qenë vendim jo demokratik i marrun dhe siç keni marr informata ne medie, aryset janë për shkak të mos votimit të kodit civil. Po ashtu janë përjashtuar edhe anëtarë të tjerë nga qendra jonë, përkatësisht asamblistët të cilët nuk kanë mbështetur mos votimin e kodit civil, janë përjashtuar nga pjesëmarrja në grupin punues”, tha Korenica për Periskopin.
Deputeti i partisë në pushtet tha se nuk është po ashtu deputeti i vetëm i ‘sanksionuar’ në VV për shkak të qëndrimit kundër Kodit Civil, pasi që sipas tij, fatin e njëjtë e kanë pasur edhe disa deputetë tjerë.
“Ka pasur përjashtime edhe në zgjedhjet e fundit të brendshme të disa deputetëve që s’i kanë lejuar të kandidojnë për shkak të votës kundër Kodit Civil”, ka theksuar deputeti i VV-së, Visar Korenica sonte për Klan Kosova.
Projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës kur u hodh në votim më 16 mars të këtij viti. 29 vota ishin kundër, 28 për dhe katër deputetë abstenuan. Në momentin e votimit, prezentë në sallë ishin 77 nga 120 deputetë, nga të cilët 16 nuk morën pjesë fare në votim.
Pika që deputetët kishin mospajtime ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.
Votat kundër ishin për të ndaluar që të mundësohet kjo bashkësi civile. Më herët edhe krerët e bashkësive fetare në Kosovë kishin kundërshtuar lejimin e “bashkësive civile”, pasi thanë se ripërkufizohet familja dhe martesa.












