Komuna e Alban Hysenit bën tregti gjysmë milionëshe me dru në dëm të buxhetit

Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga kryetari Alban Hyseni ka bërë një tregti për shitblerje të druve, kështu duke e dëmtuar buxhetin komunal për disa mijëra euro. I shiti lirë e i bleu më shtrenjtë, madje me të njëjtën kompani. Në total, bëhet fjalë për tregti gjysmë milionë euroshe, bazuar në tenderin e hapur […]
Komuna e Gjilanit para dy muajve kishte shitur një sasi të druve në ngastrën e pyllit të saj nr.33(02) dhe më pas bleu dru nga kompania e njëjtë që ia ka shitur ato.
Në një ankand publik, drutë i janë shitur kompanisë “Mali SH 1” SHPK për 50 euro m3. Më pas, komunës iu shfaq nevoja që të blejë dru për nevojat e veta, dhe para pak ditëve kontrata u lidh me kompaninë e njëjtë dhe kompaninë tjetër në konzorcium N.T.P “Fusha”. Për blerjen e druve të njëjta ahu e bung, u pagua shuma 93 m3. Veçse këtu hynë edhe transporti e prerja e tyre sipas kërkesës së komunës. Sido që të jetë, transporti dhe prerja nuk do të mund të afektonin shumën më të madhe se 15 euro m3 në atë sasi të madhe që ka blerë komuna.
Rëndom, institucionet publike shesin gjërat e veta nëpërmjet procedurave të prokurimit publik dhe nëpërmjet këtyre procedurave bëjnë edhe blerjet apo furnizimet.
Si nisi procedura?
Fillimisht, në fund të muajit shtator, komuna hapi ankand publik për shitjen e një sasie të 6 llojeve të masës drunore.
Për këtë procedurë të prokurimit, komuna kishte pranuar dy oferta, të kompanisë “Zuka Comerce” shpk, dhe të “Mali SH1” shpk. Fitues ka dalë kjo e fundit pasi ka paraqitur ofertë të përgjithshme më të lartë në vlerë prej 57535, 60 euro.
Komuna ka shitur gjashtë lloje të drurit, por druri zjarrit -ahu m3 është shitur 50 euro. Sasia prej 130.10 është shitur për 6505 euro, ndërsa dru bungu -qarr 51 euro m3, sasia prej 490. 60 m3 në vlerë prej 25.020, 6 euro.

Në muajin shtator, komuna hapi tender të vlerës së madhe për furnizim me dru dhe pelet.
Vlera e kontratës është mbi gjysmë milionë euro, ose fiks 578, 760.00 euro dhe devijimi i lejuar nga vlera totale indikativ është +- 30 për qind, çka do të thotë se kontrata mund të rritet plus 30 për qind.
Megjithëkëtë, në këtë çmim janë përfshirë transporti dhe prerja e palimi i tyre.
Për këtë tender, komuna ka marrë dy oferta të kompanisë fituese në konzercium 1. “Mali Sh1” N.T.P “Fusha” dhe 2. NTP “Burimi”, por kjo e fundit është cilësuar e papërgjegjshme.
Kujtojmë se pronar i kompanisë fituese në konzercium N.T.P “Fusha”, është Sylejman Fusha, vëllai i shoferit të kryetarit të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Kontrata të cilën e ka parë Periskopi përmban, dru ahu: sasia 5, 110.00 m3. Çmimi për m3 93 euro. Çmimi i përgjithshëm 475, 230 euro.
Dru bungu: Sasia 1, 210.00 m3. Çmimi për njësi 93 m3. Çmimi i përgjithshëm 112, 530 euro. Total mjetet që do të shpenzojë komuna për blerjen e drunjëve do të jetë 587, 760 euro.


Në kontratën nuk është saktësuar se sa ka kushtuar veçmas vetëm blerja e druve e sa transporti dhe prerja e tyre në madhësinë e kërkuar nga komuna. Megjithëkëtë në çfarëdo llogarie del se komuna ka blerë drutë nga kompania e njëjtë më shtrenjtë se sa i ka shitur të vetat, e gjasat janë që i ka blerë një sasi të drunjëve që i ka shitur vet.
Bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të datës 15 nëntor, 1 m3 dru zjarri ahu e bung në tregje po kushton 50 euro, çka do të thotë se komuna ka blerë dru edhe mbi çmimin e tregut.
Vetëm dy ditë më herët se Gjilani, Komuna e Lipjanit ka realizuar një kontratë të njëjtë dhe më shërbime të njëjta transportin dhe sharritjen e tyre. 1 m3 ka kushtuar dukshëm më lirë se në Gjilani, ose fiks 75 euro. Sasia prej 6, 500 m3 është blerë për afro gjysmemilioni euro, ose fiks 487500 euro. /PERISKOPI/













