Koci thotë se pikturat e Rexhep Selimit s’duhej të ekspozoheshin në Muze, pasi ai nuk është piktor

Avokati Arianit Koci ka bërë një reagim të gjatë pse pikturat e ekspozuara gjatë ditës së djeshme të Rexhep Selimit nuk do të duhej të shfaqeshin në Muzeun e Kosovës. Ai thotë se e vlerëson Selimin si ish luftëtar dhe se po mbahet padrejtësisht në Hagë, por që nuk ëshë piktor. Postimi i plotë: Dhjetëshi, […]
Avokati Arianit Koci ka bërë një reagim të gjatë pse pikturat e ekspozuara gjatë ditës së djeshme të Rexhep Selimit nuk do të duhej të shfaqeshin në Muzeun e Kosovës.
Ai thotë se e vlerëson Selimin si ish luftëtar dhe se po mbahet padrejtësisht në Hagë, por që nuk ëshë piktor.
Postimi i plotë:
Dhjetëshi, piktori që e “mujti” Picason
1.
Mbi njëqind e dhjetë (110) piktura të krijuara për dy vite?
Si është e mundur?
Mona Lisa e Leonardo da Vinci-t, sipas Giorgio Vasarit biografit të tij, është punuar mbi katër vite.
Është e mundur!
Nëse nuk besoni, vizitojeni ekspozitën në Muzeun e Kosovës – vendin ku ishte dashur të ekspozohen vetëm veprat e artistëve më të spikatur.
Do t’i shihni 110 vepra të nënshkruara me R 10.
Rexhep Selimi, dhjetëshi i njohur i luftës për liri.
2.
Kudo në një shtet normal, në Muzeun qendror, apo atë kryesorin, nuk mund të hyjë çfarëdo artisti.
Hyn elita botërore apo ajo e vendit.
Shpesh ndodh që mos të ketë fare ekspozitë; mund t’i shohesh vetëm artefaktet dhe veprat e artit që janë të përhershme në muze.
3.
Në New York, Londër apo Paris, në muzetë e njohura kam parë vepra të artistëve eminent botëror.
Seleksionimi është i ashpër.
Kur ekspozohen veprat e dikujt, nënkuptohet që është apo ka qenë artist i madh.
Nuk ka kompromis në përzgjedhje: respektohet vizitori, arti, artisti dhe vet shteti.
4.
Ekspozita e R10, nuk është e koncipuar kronologjikisht e as nuk shpreh segmente tematike të piktorit.
Në fakt, Rexhen po e kam problem si ta emëroj: piktor apo autor.
Dhjetëshi, ndoshta është mënyra më e mirë.
5.
Dhjetëshi në veprat e tija, një pjesë të madhe ia kushton ambientimit të peisazhit dhe paraqitjës së jetës së përditshme në mënyrë abstrakte.
Çiftelija, plisi, lulet, irisi dhe disa figura abstrakte më zgjuan kureshtjen.
Ma zgjoi kureshtjën edhe piktura që i kishte disa figura në formë të gjarpërinjëve.
E kërkoja lidhjen në mes vizatimeve dhe emrit të ekspozitës: Në garë me botën gri.
Nuk e gjeja.
6.
Rexhen e njoh dhe kam respekt për kontributin e tij në luftë.
Po mbahet padrejtësisht në Hagë.
Por, pozita e tij nuk përmirësohet në këtë mënyrë: në dëm të artit dhe artistëve.
Cili artist serioz vjen me ekspozitë apo perfomancë, tash e tutje në Muzeun e Kosovës?
7.
Nëse qeveria dhe politikanët kanë dashur të dërgojnë ndonjë porosi me këtë ekspozitë, në rregull.
Por, ekspozita është dashur të organizohet në hollin e Kuvendit të Kosovës apo Qeverisë.
Madje, edhe në sallën e Kuvendit kishte qenë më e pranueshme të bëhet ekspozita.
8.
Rexha këndon relativisht mirë duke e pasur parasysh që është këngëtar amator.
Më mirë se Ramushi
Pikturat?
Nuk është piktor, do të thoshte dikush, çka ke pritë?
Nëse nuk është piktor, pse ekspozita e tij është organizuar në vendin që konsiderohet Meka e artit në çdo shtet?
Pse në Muzeun e Kosovës?
Si zakonisht, politikanët e padijshëm po bëjnë më shumë dëm se dobi.
Plus, po dalim qesharak!
Sidoqoftë, Rexhës i dëshiroj kthim sa më të shpejtë, dhe chapeau për kontributin dhe heroizmin në luftë.












