Edhe një grua viktimë e burrit të saj – Çka ndodhi deri tash nga rasti tronditës

Dita e sotme ishte tronditëse pas një vrasje të rëndë të gruas nga burri i saj 70 vjeçar në Prishtinë, edhe atë me sëpatë. Gjithçka kishte ndodhur në orët krejt të hershme të mëngjesit, motivet e aktit që nuk dihen ende. Viktima 63 vjeçare ishte mësuese e një shkolle në kryeqytet. Periskopi sjell një përmbledhje […]
Sipas informacioneve fillestare të Policisë, kishim të bëjmë me një vrasje të rënë në shtëpinë e rrugës ‘Mark Isaku’ në Prishtinë. I dyshuari, burri i viktimës ishte vetdorëzuar tek organet.
”Sot rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë. Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë. Lidhur me rastin është vetëdorëzuar një person i dyshuar: I.G, mashkull 70 vjeç. Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.”, thuhet nga policia.
Prokuroria për vrasjen me sëpatë në Prishtinë: Nuk dihet ende motivi
Në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar Periskopit thuhet se kanë sekuestruar mjetin në shtëpinë e çiftit ndërsa trupi i viktimës është dërguar për obduksion.
‘’Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë.’’
63 vjeçarja ishte arsimtare në shkollën ‘’Dardania’’ në Prishtinë
Sadije Miftari-Godeni po dyshohet se është vra nga bashkëshorti i saj Izet Godeni sot në orët e hershme të mëngjesit.
Çifti kanë edhe dy fëmijë. Viktima ka qenë edhe arsimtare e gjeografisë në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, e cila ka anuluar edhe gjitha aktivitetet për festën e 28 Nëntorit.
Drejtori i shkollës “Dardania” flet për mësuesen e vrarë: E telefonova, s’e hapte
Për të ndjerën ka folur drejtori i shkollës, Isak Bregaj. Ai është shprehur i tronditur me rastin teksa ka theksuar se mësuesja Sadije asnjëherë nuk ka munguar.
“Jemi shumë të tronditur, në mëngjes nuk ka ardhur në shkollë, edhe jam befasu sepse ajo çdo herë kur mungon dikush më raporton dhe kolegëve ju thashë a mos po e dini Sadija mungon, arsimtarja ska lajmëru, më thanë nuk e dimë. Tentova me thirrë në telefon nuk e hapke telefonin, biseduam me kolegë prapë, lidhje pas lidhje e mësuam se e ndjera ka ndërruar jetë”, tha Bregaj.
Madje ai shtoi se këtë të dielën kishin për të udhëtuar si kolektiv për festë të 28 nëntorit në Shqipëri.
“Ka qenë një mësuese në moshë por e ka përdor një metodologji për procesin e mbajtjes së orëve pedagogjike me projektor ka qenë e përgatitur profesionalisht, komunikatave e dashur për nxënës. Dje bile në zyre e kam pyet, për disa nota që vendosen në dy periudha, i sqarova. Nuk kemi vërejtur asnjë dukuri negative tek ajo. Bile ka qenë duke e përgatit një program, në një takim që do të shkojmë të dielën për festë në Shqipëri por që fatkeqësisht ajo nuk do të jetë me neve më”, deklaroi ai.
RRGK-ja pas vrasjes së gruas në Prishtinë: Gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë
RRGK-ja thotë se në vazhdën e lajmeve të përditshme për ngacmime seksuale, dhunë me bazë gjinore, dhe përdhunime të vajzave, si dhe në ditën kur fillon fushata botërore “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave”, vrasja e 63 vjeçares në Prishtinë, vetëm se shpërfaq dhe thekson pasojat e rrënjosura të normave patriarkale dhe kulturore në kuadër të të cilave gratë vriten vetëm pse janë gra!
‘’Masat rehabilituese për abuzues ende nuk ekzistojnë dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Njëherit, punësimi i grave dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta dhe pasojnë me raste recidiviste. Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale.’’
Kërkohet paraburgim për 70-vjeçarin e dyshuar se mbyti gruan e tij
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit I.G 70-vjeçar për vrasjen e gruas së tij në Prishtinë.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarja për informim e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka sekuestruar edhe një sëpatë me të cilën dyshohet se është kryer krimi.
Haxhiu në aktivitet kundër dhunës e mori vesh vrasjen e gruas në Prishtinë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrajes së 63 vjeçares nga burri i saj në Prishtinë.
Haxhiu thotë se kjo vrasje e rëndë i pikëlloi thelle të gjithë por se do të gjejnë forcë edhe më shumë drejt ngritjes së vetëdijes qytetare dhe përgjegjësisë institucionale.
“Në mëngjesin e sotëm, rrugës drejt aktivitetit të parë të Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, aktivitetit në shkollë me nxënës dhe arsimtarë, mora lajmin tronditës: Një grua vritet nga burri i saj. Një arsimtare e një shkolle në Prishtinë. Është fenomen tejet shqetësues, vrasja e grave nga burrat e tyre”./PERISKOPI/












