Asociacioni, “patatja e nxehtë” në dorën e Kurtit – BE e SHBA po ia kërkojnë ta themelojë, e kaluara e kryeministrit i thotë “JO”

Thirrjet për formimin e Asociacionit të Komunave serbe po vazhdojnë. Derisa në Paris është duke u zhvilluar Forumi i Paqes, i pari i Qeverisë së Kosovës në këtë Forum sot u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell. Por, përkundër që zhvilluan një takim, Kurti e Borrell pas takimit dolën me deklarata e qëndrime […]
Kurti: S’pranojmë Asociacion mbi baza etnike, bie në kundërshtim me Kushtetutën
Kryeminsitri Kurti sot e ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e tij për Asociacionin, duke thënë se nuk e pranon një të tillë mbi baza etnike.
“Propozimi franko-gjerman, që në thelb është propozimi i Brukselit, i mbështetur së tepërmi nga Berlini dhe Parisi, por edhe nga Uashingtoni, është një bazë e mirë për vijimin e diskutimeve për marrëveshjen përfundimtare, që do të thotë normalizim i plotë mes marrëdhenieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Do të ketë edhe detaje të tjera të kësaj marrëveshjeje, por kryesorja duhet të jetë njohja reciproke. Në këtë propozim, parashikohen gjithashtu edhe diskutimet rreth të drejtave të pakicave, dhe në këtë pikë Beogradi mund të shprehë kërkesën e tij për temën që ata e quajnë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e cila është një formë për të adresuar çështjen e pakicës serbe.”
“Nga ana tjetër, Kosova ka një kushtetutë shumë demokratike dhe progressive. Kapitulli i tretë, nga Nenet 57-62, parashikojnë një gamë të gjerë të drejtash për pakicat në Kosovë, sepse ne nuk kemi vetëm një pakicë. Shqiptarët e Kosovës përbëjnë 92% të popullsisë, dhe rreth 8% përbëhet nga pakicat. Pakica serbe, por edhe ato boshnjake, rome, egjiptiane, ashkalinjtë dhe goranët. Pra, ne kemi shumë pakica dhe mandate në parlament për këto pakica. Gjithsej ka 11 komuna me shumicë nga këtopakica, sipas propozimit të Martti Ahtissarit. Ka një mundësi për bashkëpunim ndërkomunal, por jo për asociacion mbi baza etnike. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016”, u shpreh kryeministri i Kosovës.
Çka tha sot Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell për Asociacionin?
Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell ka takuar të premten kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq në takime të ndara në margjina të Forumit të Paqes në Paris.
Sipas një njoftimi nga zyra e BE-së për media bëhet e ditur se Borell ka kërkuar kthimin e serbëve të Kosovës menjëherë në institucionet shtetërore.
“Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj në targa me marrëveshjet e kaluara të Dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme. Këto detyrime, të marra në kuadër të Dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, thuhet në njoftim.
Borell tha se “Mjedisi aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshme tejkalimin e trashëgimive të së kaluarës dhe angazhimin në negociata kuptimplote për atë që ka vërtet rëndësi për Kosovën, Serbinë, popullin e tyre dhe gjithë rajonin – që është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy Palët si një faktor kyç për të ecur përpara në rrugën e tyre evropiane”.
Kërkesën e njëjtë sikurse Borrell po e përkrahë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar: Ne do të ngulim këmbë për asociacionin
I dërguari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dje edhe një herë e përsëriti kërkesen e Amerikës për formimin e Asociacionin, duke theksuar se kjo është edhe thirrje e vendeve të QUINT-it.
“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai.
“Ne kemi qenë po ashtu shumë të qartë me palën serbe se pajtohemi që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë në rendin e ditës. Unë kam biseduar më një gamë të gjerë zërash brenda Kosovës që e mbështesin këtë dhe janë të vullnetshëm të ndihmojnë Kosovën të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për këtë çështje”, tha Escobar.
Çka thoshte Kurti në të kaluarën për Asociacionin?
Tani i janë shtuar presionet nga ndërkombëtarët që ta themeloj Asociacionin e komunave serbe, por Kurti qysh kohë më parë e konsideroi të vdekur këtë kërkesë.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe praktikisht ka vdekur. Vendimi i gjykatës kushtetuese në vitin 2015 ka thënë që asnjëri prej 7 kapitujve nuk është në përputhje me kushtetuese….rrjedhimisht nuk ka më asociacion. Por nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës, asnjë serb nuk protestoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, kishte thënë Kurti para tre viteve.
VIDEO: KËTU
Çka është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe?
Marrëveshja për formimin e një asociacioni që do t’i bashkonte dhjetë komuna që banohen me shumicë nga serbët në Kosovë, cilësohet si një ndër marrëveshjet më problematike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
E nënshkruar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2013, marrëveshja nuk ka arritur të zbatohet asnjëherë.
Marrëveshja ishte negociuar nga ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.
Asociacioni parashikohej të mblidhte dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se marrëveshja për asociacionin bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës në 23 pika të saj.
Tash, po raportohet se Asociacioni është pjesë e propozimit franko-gjerman./Iliriana Xhylani-Periskopi/












