Asgjë për viza, Çollaku për Periskopin: E turpshme, procesi është deformuar

Të mërkurën (dje), u mbajt diskutimi i dytë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke, me ç’rast shtetet anëtare diskutuan propozimin kompromis mbi kërkesën për të lidhur liberalizimin me funksionimin e sistemit ETIAS. Megjithatë, nga takimi nuk pati konsensus. Ndërkohë pati raportime se së shpejti do kemi liberalizimin, por që hyrja në fuqi […]
Diçka konkrete për vizat e Kosovës nuk ka zyrtarisht as pas diskutimit të dytë brenda muajit në Bruksel.
Bekim Çollaku në një deklaratë për Periskopin ka theksuar se qasja e tillë e BE’së ndaj qytetarëve të Kosovës është e padrejtë dhe ka dëmtuar edhe kredibilitetin e vet.
‘’Procesi është deformuar në tërësi nga ana e institucioneve të BE-së. Kosova i ka përmbushur kriteret e kërkuara në vitin 2016, mirëpo shtetet anëtare të BE-së kanë vendosur t’i mbajnë të izoluar qytetarët e Kosovës . Kjo qasje e BE-së është e padrejtë dhe ka dëmtuar shumë kredibilitetin e vet BE-së në Kosovë. Mungesa e vendimit nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë nga ana e shteteve anëtare të BE-së’’, ka thënë Çollaku.
Tutje ai e ka quajtur edhe të turpshme.
‘’Më të vertetë është e turpshme për BE-në dhe shtetet anëtare që për më tepër se një dekadë mbajnë të izoluar vetëm kosovarët’’.
Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).
Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data
Ndonëse nuk u arrit konsensus, vendet anëtare kanë bërë përparim në negociata, njofton Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së.
“Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit konsensus; vendet anëtare, megjithatë, bënë përparim të rëndësishëm në negociata”, ka njoftuar presidenca gjersa e njëjta ka theksuar se do t’i rikthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të përpiqet të përfundojë sa më shpejt punën për këtë çështje të rëndësishme.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka deklaruar se e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në një bisedë për “N1 Zagreb”, ajo ka thënë se është “turp që disa vende trajtohen ndryshe nga të tjerat”.
“Është turp që disa vende trajtohen ndryshe nga të tjerat. Dëshiroj që institucionet dhe shtetet anëtare, sidomos ato vende që kanë qenë për kohë të gjatë në sallën e pritjes, të jenë aleatë”, deklaroi Metsola./Kaltërina Misini – PERISKOPI/












