A do të dorëzohet Kurti përballë kërkesave amerikane?

Ka disa muaj që ka filluar presioni ndërkombëtar ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke ia drejtuar disa kërkesa që t’i realizoi. Shtyrja e afatit për targat, nisja e negociatave për themelimin e Asociacionit janë vetëm dy çështjet kryesore që po i kërkohen të parit të Qeverisë. Amerika kërkesat e njëjta po ia bën shpesh brenda një […]
Që kur Kurti mori vendim për targat, Shtetet e Bashkuar të Amerikës u shprehen të zhgënjyera me të, pasi shefi i Qeverisë së Kosovës nuk e zbatoj kërkesën e amerikanëve që vendimi për zbatimin e tij të shtyhet për 10 muaj.
Ishte dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ai i cili kërkoj nga Kurti e Osmani që ta shtyjnë vendimin e zbatimit të marrëveshjes për targat.
“Dua të filloj duke thënë se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë, por ne duam të zbatojmë në një mënyrë paqësore që nuk i ngrit tensionet e që nuk na shpërqendron nga disa gjëra që duhet t’i bëjmë. Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-së, por e gjithë vendeve të QUINT-it. Dhe kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, kishte thënë ai në Kanal 10.
Kërkesa e amerikanëve u përsëritë për të dytën herë kur edhe hyri në fuqi zbatimi i vendimit për targa, e për të cilin Kurti kishte shtuar disa masa.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier tha se ShBA dënon djegien e veturave, por kërkesën ndaj Kurtit nuk e harroi.
“Ne ritheksojmë kërkesën tonë për një zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen gjatë 12 muajve duke pohuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”, kishte shkruar Hovenier.
Kërkesa tjetër që vie nga ambasadori amerikan, e që nuk është për herë të parë, është edhe ajo për themelimin e Asociacionit(Zajednicës).
E njëjta thirrje për targat nga ShBA-të vinte për herë të tretë, por vetëm përfaqësuesi ndryshoi. Kërkesa kësaj here erdhi nga zëdhënësi i DASh-it, Ned Price.
Ai tha se i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje të plotë të afatit për targa, madje këtë kërkesë ua kanë bërë të qartë autoriteteve në Kosovë, edhe publikisht, edhe privatisht.
“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në kërkon një shtyrje të plotë në zbatimin e këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës për një shtyrje të plotë në zbatimin [e vendimit të targave]. Sërish, këto diskutime po vazhdojnë, diskutimet me palët në rajon, diskutimet me Bashkimin Evropian”, tha Price.
Nuk munguan as thirrjet nga kabineti i presidentit Joe Biden. Këshilltari i tij, Derek Chollet kishte pasur një bisedë përmes telefonit me Kurtin ku i kishte kërkuar shtyrjen e afatit për targat.
“Bisedova me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjen e implementit të vendimit për targa, pa konfiskime dhe gjoba. Gjithashtu diskutuam partneritetin tonë dhe qëllimet e përbashkëta për avancimin e integrimit evropian dhe euro-atlantik të Kosovës”, kishte shkruar Chollet.
Sot të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobariu i është dashur edhe një herë që t’ia përsërisë kërkesën e njëjtë Kurtit.
Escobar duke e komentuar situatën aktuale në veri të Kosovës përmendi zbatimin e detyrave që kërkojnë nga të dyja palët.
“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të QUINT-it, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha Escobar për Zërin e Amerikës.
E krejt këtyre kërkesave Kurti iu përgjigjej në këtë mënyrë.
Përgjigja e Kurtit për Asociacionin: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i dhjetorit të vitit 2015 Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shfaqur në dritën e së vërtetës, që është i paintegrueshëm në sistemin tonë juridik dhe kushtetues. Ajo nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013, mirëpo goditja që i ka bërë përmbajtjes së vitit 2015 kur marrëveshja e 2013 u zbërthye në konkretësinë e saj, në detajet e saj dhe në shpirtin e saj praktikisht e ka goditur edhe marrëveshjen e vitit 2013. Me fjalë të tjera ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë që vetëm germa e Asociacionit është problematike, por ka konstatuar që 23 nene të kushtetutës po shkelen me të dhe secili nga shtatë kapitujt e Asociacionit nuk janë në përputhje me kushtetutën, por në të njëjtën kohë ka goditur edhe frymën e këtij Asociacioni. Nuk mund të ketë me Kushtetutën e Kosovës asociacion mbi baza etnike.
Përgjigja e Kurtit për targat: Shtyrja 10 mujore nuk mund të jetë shtyrje, mund të jetë 3 jave 1 muaj, nuk kemi bërë shtyrje sepse jemi në të drejtën tonë, kemi shprehur mirëkuptimin për brengat amerikane. Dëshirojmë që të mos bëjmë kompromis sa i përket zbatimit të ligjit të drejtë dhe cenojmë paqen dhe sigurinë dhe këtë e kemi bërë me vendimin e marrë./Iliriana Xhylani-Periskopi












