Beshiri i VV-së në Mitrovicë kundër Agim Bahtirit: Ka edhë shumë të tjerë kundër, por shantazhet dhe joshjet për pozita i kanë heshtur

Ramadan Beshiri, aktivist i Vetëvendosjes në Mitrovicë, në një bisedë për Periskopin, ka thënë se e ka ngritur zërin edhe në kryesinë e partisë (VV, qendër), kundër kandidaturës së Agim Bahtirit për kryetar. “Unë dola kundër këtij vendimi për shkak se mendoj se është ofendim për inteligjencën e qytetarit kandidimi për të tretën here radhazi […]
Ramadan Beshiri, aktivist i Vetëvendosjes në Mitrovicë, në një bisedë për Periskopin, ka thënë se e ka ngritur zërin edhe në kryesinë e partisë (VV, qendër), kundër kandidaturës së Agim Bahtirit për kryetar.
“Unë dola kundër këtij vendimi për shkak se mendoj se është ofendim për inteligjencën e qytetarit kandidimi për të tretën here radhazi të Agim Bahtirit. Gjithashtu ne në zyrën e Vetëvendosjes gjithmonë e kemi diskutu se dy mandate edhe ligjërisht duhet të jenë të mjaftueshme për një kryetar komune sepse ajo kalon disi, bëhet autoritar me mandatin e tretë. Paramendo tetë vite janë të mjaftueshme për me kriju menaxhim e zhvillim të komunës. Edhe një mandat i tretë do të ishte i tepërt”, ka thënë Beshiri në një bisedë për Periskopin.
Ai thotë se ka zëra të shumtë kundër Agim Bahtirit në Mitrovicë, por që sipas tij, ata janë të heshtur për shkak të shantazheve e joshjeve për pozita.
“Disa prej tyre janë heshtur me anë të shantazheve dhe joshjeve për pozita, për drejtorë. Por ka zëra të shumë në VV, burra e gra që ishin për reformë radikale e cila do të na kthente në gjenin e Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisjen e komunës me socialdemokraci. Veç janë publike nëpër rrjete sociale pakënaqësitë e shumë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ndër ta aktivistët më të vjetër të Lëvizjes të cilët kanë dalë kundër këtij vendimi të kryesisë të VV’së. Tek e fundit, ne do të jetojmë në Mitrovicë e jo kryesia apo organet kompetente, andaj kemi dalë kundër këtij vendimi. Ne jemi në Lëvizjen Vetëvendosje, do të qëndrojmë si aktivistë, mirëpo do ta mirëmbajmtë konceptin politik duke kundërshtuar vendimet që mendojme se nuk janë të duhura”, tha Beshiri për Periskopin.
Ai tregon edhe për letrën e hapur që kishte shkruar para një kohe drejtuar Kurtit dhe Vetëvendosjes.
“Letra të cilën e kam shkruar të hapur ka qenë bash në kohën kur është zyrtarizuar kandidimi i zotëri Bahtirit. Me anë të asaj letre, kam shpreh gjithë atë mllefin që e kam pasë ndër vite për mos reformimin e degës në VV’së në Mitrovicë. Përgjigje nuk kam marrë nga kryetari ynë, kryeministri Kurti mirëpo padyshim që kam pasë takime me hiearki të Lëvizjes nën zotëri Kurti, të cilët kanë kërku mirëkuptim, kësaj radhe ka qenë kandidatura e tillë dhe na duhet edhe kësaj radhe që ta kandidojmë zotëri Bahtirin. Por nuk e kam miratu këtë vendim edhe po qëndroj në këto pozicione të cilat janë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se ‘në VV, është krijuar një mentalitet se të bësh opozitë brenda partisë, etiketohesh menjëherë se i përket ndonjë grupi të caktuar’.
“Është kriju mentalitet se të bësh opozitë brenda llojit, menjëherë të etiketojnë se ti i shërben këtij grupi apo atij grupi. Unë nuk i shërbej asnjë grupi. Jam aktivist i Lëvizjes dhe ndër vite jam rritë duke e mirëmbajt këtë koncept politik”, tha ai./Periskopi/












