Analizoni rrjetet sociale: Kandidatja e LDK-së për Ferizaj pas vrasjes së 18 vjeçares bën një postim rrëqethës

Kandidatja e LDK-së për Ferizaj, Sibel Halimi, ka bërë një postim rrëqethës në profilin e saj në Facebook për rastin tmerrues të vrasjes së dyshuar të një 18 vjeçareje që u dërgua e vdekur në spitalin e Ferizajt. Halimi ka deklaruar se ky rast ka përplasur fytyrës “realitetin e hidhur në të cilin gjenden vajzat […]
Halimi ka deklaruar se ky rast ka përplasur fytyrës “realitetin e hidhur në të cilin gjenden vajzat tona.”
Ajo ka denoncuar gjuhën mizogjeniste që përdoret madje edhe në rrjete sociale, përcjell Periskopi.
“Nuk mjafton të tronditemi vetëm nga vrasjet fizike, ne duhet të tronditemi çdo ditë për gjuhën e vrasjes drejtuar vajzave dhe grave e që vrasja fizike, vjen si pasojë e mos ndëshkimit të këtij mentaliteti.” – ka shkruar znj. Halimi.
Në pamundësi për të mbajtur nën kontroll seksionin e komenteve, Periskopi vazhdimisht ka kërkuar nga lexuesit që të mos shprehnin gjuhë seksiste.
Kujtojmë që znj. Halimi është aktiviste që ka avokuar vazhdimisht për të drejtat e grave.
Statusi i plotë:
Rasti i vrasjes së vajzës 18 vjeçare, edhe njëherë na përplasi fytyrës realitetin e hidhur në të cilën gjenden vajzat tona.
Gjuha mizogjeniste, dhuna ndaj grave dhe vajzave janë shndërruar në “normalitet” në shoqërinë tonë. Mjafton të analizohen rrjetet sociale, ku aq lehtësisht, fyerja deri në eliminim është bërë përditshmëri.
Nuk mjafton të tronditemi vetëm nga vrasjet fizike, ne duhet të tronditemi çdo ditë për gjuhën e vrasjes drejtuar vajzave dhe grave e që vrasja fizike, vjen si pasojë e mos ndëshkimit të këtij mentaliteti.
Ngacmimet seksuale, dhunimet, shantazhi e dhuna ndaj grave janë çështje të cilat duhet të jenë prioritet i secilit prej nesh pa përjashtim.












