Qeveria Kurti propozon për kryesues të Bordit të ZRRE-së të shkolluarin në Serbi në vitin 2016

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur dje (të mërkurën), ka propozuar kandidatët për dy pozita të anëtarëve të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të kryesuesit të këtij bordi. Në mesin e anëtarëve të propozuar është edhe Vehbi Sofiu, i cili kishte doktoruar në Kragujevc të Serbisë në vitin 2016. […]
Për kryesues të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Qeveria e Kosovës ka propozuar dy kandidatë, Ymer Fejzullahun dhe Vehbi Sofiun.
Sofiu, kishte diplomuar në vitin 2016 dhe ishte në mesin e studentëve nga Kosova, që kishin pranuar diploma nga Universiteti i Kragujevcit në Serbi. Rektor i këtij Universiteti, ishte Nebojsha Arsenijeviq.
Mediat serbe, atë vit e patën raportuar si ‚gjë skandaloze‘ këtë çështje, për faktin se siç raportonin, studentët shqiptarë patën diplomuar me tema që kishin të bënin edhe me ‚pavarësinë e Kosovës‘.
Të kontaktuar nga mediat kosovare në vitin 2016, disa prej studentëve të apostrofuar, e patën mohuar një gjë të tillë. Ata patën thënë se kanë doktoruar në kuadër të Qendrës Evropiane për Paqe dhe Zhvillim (ECPD), e cila kishte disa filiale në rajon. Por, mediat serbe raportonin se të gjitha këto disertacione doktorature, të gjetura tani, u shtypën gjatë vitit 2016 dhe i referohen drejtpërdrejt rektorit Nebojsha Arsenijeviq.
“Studentët shqiptarë me mjeshtri e shmangim emrin e universitetit të Kragujevcit në CV-të e tyre, e përmendin vetëm Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim”, shkruante “objektiv.rs”.
Anëtari i propozuar dje nga Qeveria, Z.Sofiu, kishte doktoruar ne temën „Impakti i ajrit të ndotur në panelet solare në Kosovë‘ dhe kishte marrë titullin ‚Doktor i Shkencave Teknike‘.
Sofiu është propozuar edhe për pozitën e anëtarit të Bordit të ZRRE-së, bashkë me Gani Buçajn, Arjeta Pajaziti Qerimin dhe Lutfije Dervishin.
(Kështu dukej një diplomë e lëshuar nga Universiteti i Kragujevcit më 2013, e nënshkruar nga rektori i Universitetit të Kragujevcit, Nebojsha Arsenijeviq)
Dje edhe vet kryeministri Albin Kurti, në njoftimin e tij për mbledhjen e Qeverisë, në të cilën mungoi, por e udhëheqi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, njoftoi për propozimin e Qeverisë lidhur me emrat për Bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji:
„Kuvendit po ashtu iu propozuan edhe kandidatët për bordet e dy institucioneve të rëndësishme: Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji“, shkroi kryeministri në Facebook./Periskopi/














