Qeveria Kurti ndryshon diçka në vendimin ku i shkolluari në Serbi u propozua për Bord të ZRrE-së

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 20-të, kësaj radhe në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për propozimin e kandidatëve për kryesues dhe anëtar të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që i është dërguar Kuvendit të Republikës […]
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 20-të, kësaj radhe në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për propozimin e kandidatëve për kryesues dhe anëtar të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që i është dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës nga mbledhja e nëntëmbëdhjetë (19) e zhvilluar me 14.07.2021.
Me plotësim ndryshimin e këtij vendimi, në vend të kandidatit të propozuar për anëtar të Bordit të ZRRE-së, z.Vehebi Sofiu, është propozuar z. Astrit Saraqini. Megjithëkëtë, z. Vehebi Sofiu, sipas vendimit Nr. 08/19 të datës 14.07.2021, vazhdon të jetë kandidat i propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për kryesues të këtij Bordi. Periskopi raportoi ditë më parë, se si emri i z.Sofiu, ishte në mesim e emrave që dyshohej se kishin diplomuar në Universitetin e Kragujevcit në vitin 2016.
Sofiu, kishte diplomuar në vitin 2016 dhe ishte në mesin e studentëve nga Kosova, që kishin pranuar diploma nga Universiteti i Kragujevcit në Serbi. Rektor i këtij Universiteti, ishte Nebojsha Arsenijeviq.
Mediat serbe, atë vit e patën raportuar si ‚gjë skandaloze‘ këtë çështje, për faktin se siç raportonin, studentët shqiptarë patën diplomuar me tema që kishin të bënin edhe me ‚pavarësinë e Kosovës‘.
Të kontaktuar nga mediat kosovare në vitin 2016, disa prej studentëve të apostrofuar, e patën mohuar një gjë të tillë. Ata patën thënë se kanë doktoruar në kuadër të Qendrës Evropiane për Paqe dhe Zhvillim (ECPD), e cila kishte disa filiale në rajon. Por, mediat serbe raportonin se të gjitha këto disertacione doktorature, të gjetura tani, u shtypën gjatë vitit 2016 dhe i referohen drejtpërdrejt rektorit Nebojsha Arsenijeviq.
Ndryshe, vendimi i ri i Qeverisë, do të procedohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.












