Gazetari nga diaspora bëhet ‘avokat’ i fustaneve të familjes Kurti

Gazetari i mirënjohur nga diaspora, Enver Robelli, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit Albin Kurti psa paraqitjes së tij në Festivalin e Kanës [Cannes]. Së fundi, ka pasur shumë kritika në drejtim të kryeministrit Kurti që dikur njihej si njeri i popullit për fustanin e shtrenjtë që i ka vënë vajzës së tij, Leas. Edhe […]
Së fundi, ka pasur shumë kritika në drejtim të kryeministrit Kurti që dikur njihej si njeri i popullit për fustanin e shtrenjtë që i ka vënë vajzës së tij, Leas.
Edhe më tej nuk dihet nëse fustani në fjalë është dhuruar apo është huazuar, duke qenë se deklaratat nga kreatorja Matoshi dhe nga Qeveria kanë qenë kundërthënëse.
Robelli nuk ka hezituar të mbajë madje edhe leksione për gazetarët kosovarë derisa i del në mbrojtje Kurtit që dikur njihej për modestinë dhe thjeshtësinë e tij në veshje dhe paraqitje duke qenë vet kritik i luksit dhe glamurit.
Ai madje e ka quajtur “pioniere e një partie pa asnjë votë” znj. Natyra Kuçi, aktiviste e Partisë Social-Demokrate që kishte alarmuar qytetarët për një gjë të tillë.
Kryeministri Kurti po qëndron jashtë vendit prej 8 korrikut kur udhëtoi së pari drejt Greqisë ku qëndroi në një simpozium në një resort super-luksoz. Më pas ai udhëtoi drejt Francës për të marrë pjesë në Festivalin e Kanës [Cannes]. Dhe sonte besohet se do të udhëtojë drejt Belgjikës për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Statusi i z. Robelli:
Çmendet një vend për një fustan të huazuar!
Më 12 gusht 2020 revista «Vogue», ajo revista e famshme globale, botoi një shkrim të gjatë me titullin: Si u bë ky fustan aq i popullarizuar gjatë pandemisë? Tani kujdes: bëhej fjalë për fustanin me dredhëza të kreatores kosovare Lirika Matoshi. Në opinionin kosovar shpërtheu entuziazmi: një kreatore kosovare e modës bëhej temë globale. Pas pop-muzikës ku dominojnë Dua Lipa e Rita Ora, tani shihej edhe talenti i një kreatoreje të modës nga Kosova, pra i Lirika Matoshit. Tani sërish kujdes: Lirika Matoshi vendos që fustanin t’ia huazojë vajzës së kryeministrit për ta prezantuar në Festivalin e Filmit në Cannes. Lexojeni mirë: t’ia huazojë! Sepse si dhuratë ishte refuzuar, sipas dëshmisë së kreatores Matoshi. Këtu pastaj fillon komedia, skandali dhe poshtërsia: del një pioniere e një partie pa asnjë votë dhe thotë: këqyrni, këqyrni, çika e kryeministrit me fustan 500 dollarë. Dhe pastaj diga u thye dhe portalistët i kapën thikat në përpjekje për të bërë skandal diçka që nuk është skandal. Askush nuk e verifikoi vërtetësinë e postimit të aktivistes së mllefosur. U shkel rregulli numër një i gazetarisë: verifikimi i lajmit. Ka 24 orë që përtypet një rrenë. A e merr kush përgjegjësinë për këtë tmerr “medial”? Për këtë fake news? Harrojeni. Portalistët janë duke i vringëlluar thikat për t’i rënë në qafë viktimës së radhës. Kështu po funksionin “gazetaria” në Kosovë në vitin 2021: dikush plason një rrenë, rrena pastaj distribuohet gratis nga “portalet”, inskenohet një fushatë, bëhet zhurmë, pastaj inskenohet skandali tjetër. Kjo qeveri meriton të kritikohet e të vëzhgohet më ashpër se çdo qeveri tjetër, sepse ka premtuar se do të jetë qeveri TJETËR. Por jo me rrena me fustan dhe me përralla me tupan!












