Deputet Dugolli i reagon Periskopit: Nuk ju kam adresuar Ambasadës amerikane

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i ka shkruar Periskopit në lidhje me artikullin e titulluar “Dugolli i VV-së i thotë ambasadës amerikane: Ne jemi sovran, votojmë sipas bindjeve tona”. Ai pretendon se Periskopi ka tentuar të dezinformojë publikun për qëllimin e shkrimit të tij. Më herët, me anë të një postimi në Facebook, Dugolli […]
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i ka shkruar Periskopit në lidhje me artikullin e titulluar “Dugolli i VV-së i thotë ambasadës amerikane: Ne jemi sovran, votojmë sipas bindjeve tona”. Ai pretendon se Periskopi ka tentuar të dezinformojë publikun për qëllimin e shkrimit të tij.
Më herët, me anë të një postimi në Facebook, Dugolli ka deklaruar se “Ne jemi sovran në vendime dhe votojmë mbi bazën e argumenteve dhe bindjeve tona.”
Gazetarja e Periskopit e ka kuptuar një deklaratë të tillë në referencë me reagimin e Ambasadës së ShBA-ve për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Mu për atë shkak, dhe pa qëllim dëmtimin e reputacionit të z. Dugolli, është vendosur që titulli të jetë si më lart.
Ai ka kërkuar që titulli të hiqet, të botohet reagimi i tij dhe të njoftohet z. Deputet për veprimin.
Periskopi nuk e kupton tendencën e z. Dugolli për të reaguar vetëm ndaj portalit tonë kur edhe portalet e tjera e kanë vënë një titull të ngjashëm në artikujt e tyre.
Periskopi ka vendosur që të botojë të paprekur reagimin e z. Dugolli, por të mos heq titullin e shkrimit.
Postimi i deputetit është kuptuar si adresim ndaj Ambasadës në ShBA nga redaksia dhe heqja e titullit pa besuar që ai i është adresuar dikujt tjetër, do të përbënte vetë-censurë dhe shkelje të lirisë së shprehjes.
Periskopi i uron z. Dugolli punë të mbarë në legjislaturën e VIII duke i thënë: “Edhe ne jemi sovranë dhe kuptojmë shkrimet tuaja sipas bindjeve tona.”
Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Dugollit:
Sot, me 09.07.2021, dikush nga portali juaj ka marr një shkrim (postim) nga profili im në fb im dhe në mënyrë të qëllimshme ka tentuar të dezinformoj publikun për qëllimin e shkrimit tim duke dëmtuar personalitetin tim.
Unë, askund dhe me asnjë fjalë nuk ju kam adresuar ambasadës amerikane, prandaj titulli është krejtësisht i pasaktë dhe tendencioz.
Ky titull prejudikues, nuk e plotëson as minimumin e etikës gazetareske sepse askush nga redaksia juaj nuk më ka kontaktuar në lidhje me reagimin (postimin) tim për të konkluduar qëllimin e shkrimit tim.
Prandaj, me mirësjellje kërkoj që të hiqni titullin e shkrimit, të botoni reagimin tim dhe të më njoftoni për veprimin.
Shkrimi im në profilin tim është i njëjti dhe mund ta shihni sa herë të doni por nuk përmban asgjë që lidhet me titullin që i keni vendosë shkrimit në portalin tuaj.












