SKANDAL: Del dokumenti i Zajednicës që thuhet se është përgatitur nga Lajçak për Kurtin

Duket se kryeministri Kurti nuk e ka aspak të lehtë pjesëmarrjen e tij në procesin e Dialogut me Serbinë. Tashmë, çështja e “Zajednicës” ose Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pritet të jetë kryetemë e takimit të tij me Vuçiqin. Ndërkohë, tash ka dalë edhe një dokument. Express ka siguruar një dokument që, sipas burimeve, […]
Express ka siguruar një dokument që, sipas burimeve, është hartuar nga zyra e emisarit të BE’së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, në të cilin janë listuar opsionet e mundshme për pika të veçanta që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky dokument, i titulluar “Opsionet e mundshme lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, i është dërguar Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.
Periskopi nuk merr përgjegjësinë për saktësinë apo mos-saktësinë e këtij dokumenti dhe këtij informacioni.
Në të janë dhënë opsione sesi duhet të procedohet tutje me themelimin e Asociacionit, marrë parasysh gjithë zhvillimet e ndodhura dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me Asociacionin.
“(i)Kompetencat e Asociacionit mund të detajohen edhe më tej për të përfshirë të gjitha çështjet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Në veçanti, statuti për Asociacionin duhet të përsërisë kushtet për “kompetenca të zgjeruara” për komunat me shumicë serbe që janë të përfshira në Ligj.
(ii) Kompetencat e Asociacionit duhet të përfshijnë autoritetin e qartë për themelimin e pesë llojeve të marrëveshjeve bashkëpunuese lidhur me paragrafin 9 dhe 14 të Ligjit për Bashkëpunim ndër-komunal. Duhet të ketë një shqyrtim të mëtejshëm të një institucioni të përbashkët publik pasi një formë e këtij modeli mund të shërbejë si forma kryesore e bashkëpunimit brenda Asociacionit.
(iii) Zgjedhja në mes të “pasurit” dhe “ushtrimit” të një mbikëqyrjeje të plotë mund të shmangej përmes themelimit të një konstrukti ndryshe. Asociacioni mund të “ushtrojë” mbikëqyrje të plotë sa u përket kompetencave të komunave anëtare të tij për zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi dhe planifikim rural e urban (si dhe për “ çështje kulturore si në ligjin për vetëqeverisje lokale, përderisa ka mbikëqyrje të plotë të politikave dhe aktiviteteve të autoriteteve qendrore dhe komunave të tjera sa u përket politikave dhe aktiviteteve të tyre në këto fusha”, thuhet në dokument ku janë listuar tri opsione.
Zëvëndëskryetari i Asociacionit të jetë nga popullësia jo-shumicë në kuadër të Asociacionit
Në këtë dokument janë dhënë edhe opsione rreth krijimit të strukturës organizative të Asociacionit dhe Administratës.
“Ligji dhe statuti për themelimin e Asociacionit do të mund që në mënyrë eksplicite të ofronte fuqi punëtore administrative që do të pasqyronte diversitetin e popullsisë së Asociacionit, dhe që gjithashtu në mënyrë eksplicite do të mund t’i mbante parimet themelore kushtetuese të barazisë, mos diskriminimin dhe pluralizmin ( ose që në mënyrë eksplicite nuk do të devijonte nga mbrojtjet e tanishme kushtetuese për pakicat, përfshirë ato që ofrohen në Nenin 62. Ligji ose statuti për themelimin e Asociacionit gjithashtu do të mund t’i zgjeronte mbrojtjet kushtetuese ekzistuese në nivel komunal (Neni 62) për vetë Asociacionin. Kështu, mund të përcaktohet, që Zëvendës presidenti i planifikuar për Asociacionin të zgjidhet nga popullsia jo-shumicë e Asociacionit dhe t’i jepen të njëjtat përgjegjësi që i ushtron aktualisht në komunat veç e veç “Nënkryetari i Asamblesë Komunale të Komuniteteve” (shiko Nenin 62, Kushtetuta e Republikës së Kosovës)”, thuhet ndër të tjera në këtë dokument.
Nëse komandanti i Policisë në një Komunë brenda Asociacionit është nga komuniteti serb, zëvëndëskomandanti duhet të jetë nga pakica jo-serbe
Përveç tjerash në këtë dokument thuhet që duhet siguruar që kudo që në një komunë në kuadër të Asociacionit është një shef policie nga komuniteti serb, atëherë të ketë një zëvendës shef nga pakicat jo-serbe.
Kur flitet për këtë pjesë, përmendet se si në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 kërkohet që katër kryetarët e komunave veriore të paraqesin listën e kandidatëve (serbë) për komandant rajonal të policisë në mënyrë që të reflektohet përfaqësimi i pakicave, derisa theksojnë se Parimet e Përgjithshme nuk trajtojnë fare shqetësimet e popullsisë jo-shumicë në kuadër të Asociacionit.
“Në të vërtetë pika e 13 e Parimit e heq pjesën e pikën 9 të Marrëveshjes së Brukselit që thotë se “përbërja e Policisë së Kosovës në veri duhet të reflektojë përbërjen etnike të katër komunave (një garanci për përfaqësimin e pakicave). Nuk është e qartë pse Marrëveshja për parimet e Përgjithshme nuk ka përfshirë një dispozitë të tillë kyçe të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Përmbysja e kësaj do të kishte kuptim dhe ndoshta do të ndihmonte në largimin e mosbesimit që ka dalë për shkak të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme”.
Tutje kur flitet për kapacitetet ligjore dhe anëtarësinë, thuhet që “Statuti mund të sqarojë edhe më tej se Asociacioni është një entitet me trup ligjore, që mund të formojë edhe trupa të tjera ( (si nën Ligjin mbi Bashkëpunimin Ndër-Komunal) disa prej të cilave (p.sh. institucionet e përbashkëta publike, një ndërmarrje e përbashkët publike) mund të kenë gjithashtu trup ligjor. ii) Statuti duhet të bëjë të qartë se ndonjë nga komunat e caktuara me shumicë serbe do të jetë me të drejtë anëtar i Asociacionit, nëse komuna nuk kishte votuar për t’u tërhequr. Statuti mund të tregojë se një shumicë e Asamblesë së Asociacionit mund të miratojë anëtarësimin e çdo komune tjetër me shumicë jo-serbe”.
T’i lejohet Asociacionit e drejta për komentim të Ligjeve në Kuvendin e Kosovës
Përveç tjerash në këtë dokument thuhet se duhet t’i lejohet Asociacionit që të komentojë për legjislacionin e rëndësishëm përmes procedimeve në Kuvendin e Kosovës.
‘Asambletë legjislative zakonisht lejojnë procedime të tilla nga palët e interesuara dhe pritet që deputetet serb në veçanti të inkurajojnë procedime të tilla nga Asociacioni”.
Në këtë dokument jepet edhe një konkluzion se “Marrëveshja e Brukselit, Marrëveshja Për Parimet e Përgjithshme, vendimi i gjykatës, dhe ligjet e Kosovës për vetëqeverisjen lokale dhe për bashkëpunim ndër-komunal ofrojnë një hapësirë të konsiderueshme për zhvillimin e statutit të Asociacionit. Një rezolutë do të kërkonte një lloj kreativiteti, por edhe vullnet të mirë në mes të palëve”.
Asociacioni mund të themelohet edhe pa statut, brenda kuadrit ligjor ekzisutes
Gjithashtu theksohet se çështje problematike do të jetë tendenca e secilës komunë për “kompetencë përfundimtare ligjore”.
“Një Asociacion i ndërtuar në këtë mënyrë mund të marrë veprimtari të përbashkëta bashkëpunuese me shumë paralele me rregullimet e vëna në Ligjin e Kosovës mbi Bashkëpunimin Ndër komunal. Një Statut mund të sigurojë njohjen e diversitetit dhe përfaqësimit të pakicave brenda Asociacionit. Edhe pa një statut, një Asociacion mund të krijohet brenda kuadrit të ligjit ekzistues”, thuhet në pjesën e konkluzionit.












