Rrjeti i Grave të Kosovës dalin kundër Vjosa Osmanit për shkarkimin e Valdete Dakës

Rrjeti i Grave të Kosovës i ka dalë kundër presidentes së Kosovës Vjosa Osmani pas vendimit të kësaj të fundit për shkarkimin nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daken. “Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi bashkohet me organizatat e tjera të shoqërisë civile për ta kundërshtuar vendimin e […]
“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi bashkohet me organizatat e tjera të shoqërisë civile për ta kundërshtuar vendimin e djeshëm të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu për shkarkimin e Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka”, thuhet në reagim, transmeton Periskopi.
Në reagimin e RrGK’së thuhet se arsyetimet e dhëna nga Osmani nuk qëndrojnë dhe e mveshin Dakën më përgjegjësi që nuk janë të sajat, apo vetëm të sajat.
Sipas RrGK, shkarkimi i Dakës mund të afektojë gjithashtu edhe organizimin e zgjedhjeve lokale dhe mund të konsiderohet ndikim në punën e pavarur të KQZ’së.
Ky është reagimi i plotë i RrGK’së:
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi bashkohet me organizatat e tjera të shoqërisë civile për ta kundërshtuar vendimin e djeshëm të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu për shkarkimin e Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.
Arsyet e dhëna për shkarkimin e Dakës nuk qëndrojnë, e për më tepër mveshin atë me disa përgjegjësi që nuk janë të sajat, apo vetëm të sajat. KQZ është organ i pavarur kushtetues dhe Kryetarja Daka është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote.
Ndër arsyet e shkarkimit figurojnë edhe shkelja e të dhënave personale, si dhe problemet me listat e votuesve. Asnjëra nga këto të dyja nuk bien nën përgjegjësinë e Kryetares së KQZ-së, njëra është në fushëveprimtarinë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, kurse tjetra është përgjegjësi e Agjencionit për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Po ashtu, sjellim ndërmend se ky vendim i Presidentes Osmani vie në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti, dhe përveç që konsiderohet ndikim në punën e pavarur të KQZ-së, mund edhe të ndikojë në organizimin e mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Gjithashtu, kujtojmë se para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme nacionale të shkurtit të vitit 2021, RrGK përmes një kumtese për media, bëri thirrje që ky proces të zhvillohej brenda rregullave kushtetuese, frymës demokratike dhe çdo mospajtim të adresohej përmes rrugëve institucionale. Këtë thirrje po e përsërisim edhe sot, dhe atë jo vetëm për partitë politike, por për çdo figurë institucionale që mbi supe bart përgjegjësinë e përfaqësimit të unitetit të popullit, siç është roli i Presidentes së Kosovës.
Gjersa jemi dëshmitarë të fuqizimit politik të grave në shoqërinë kosovare, RrGK do të vazhdojë përpjekjet e kahmotshme drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje, si dhe do të kërkojë llogaridhënie për vendimet që prekin themelet demokratike mbi të cilat jemi duke e ndërtuar shoqërinë e shtetin tonë.












