Nga UÇK e Izraeli e deri te Rugova e Rusia: Deklaratat që çuan më së shumti pluhur nga Gërvalla Schwarz

Donika Gërvalla Schwarz është njeriu i dytë më i pushtetshëm në Qeverinë Kurti II pas Albin Kurtit. I gjithë ky pushtet, e vuri shefen e diplomacisë në qendër të vëmendjes së medieve. Dhe, ‘shpërthimet’ e Gërvallës ose ministrisë që drejton disi e dinamizuan edhe Qeverinë Kurti që u akuzua për “ngathtësi” në veprime. Për dallim […]
Për dallim nga kryeministri apo kolegët e saj ministra, Gërvalla Schwarz u duk se pati një ritëm më të lartë të punës.
Gjatë 100 ditëve, ajo u përfshi në një varg zhvillimesh kombëtare e ndërkombëtare, në të cilat nuk doli edhe aq mirë.
“Gervalla-Schwarz kërkon që shumë vrasje të pasluftës në vend të zgjidhen. Pas tërheqjes së trupave serbe, ato u kryen kryesisht nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, UÇK. Viktimat ishin serbë, romë dhe shqiptarë oponent të UÇK’së”, thuhej ndër të tjera në artikullin për mediumin zviceran NZZ e i cili kishte shkaktuar shumë zhurmë në Kosovë, por edhe kontestin mes ministres Gërvalla dhe redaktorit të gazetës në fjalë.
Sidoqoftë, përtej huqjeve, vlen të theksohet që ishte Gërvalla Schwarz ajo që mori vendim ose që pati guxim të kumtonte vendimin për anën që mori Kosova në konfliktin e fundit Izrael-Palestinë.
“Si çdo shtet tjetër, Izraeli ka të drejtën dhe obligimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2000 raketave të qëlluara mbi civilët vetëm nga Hamasi, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. “
Ashtu siç nuk mund ta kenë pritur shumë aktivistë të Vetëvendosjes, znj. Gërvalla Schwarz përmes një postimi në Twitter nga MPJ haptas i dha mbështetje Izraelit “për të mbrojtur popullin e tij”.
Kujtojmë që nga konflikti 11 ditor kanë vdekur 243 persona, prej të cilëve 12 në Izrael dhe të tjerët në Gazë. Më shumë se 100 ishin gra dhe fëmijë.
Gërvalla Schwarz ishte ajo që kumtoi edhe vendimin tjetër të Qeverisë Kurti II për ambasadën e Kosovës në Jerusalem. Se Kosova do ta vendoste ambasadën në kryeqytetin e kontestuar të Izraelit, dhe do ta njihte si kryeqytet, nuk kishte lajmëruar kryeministri Kurti apo kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“Kam përshëndetur njohjen diplomatike nga Izraeli dhe mendoj që çështja e ambasadës tonë në Izrael është çështje e kryer. Nuk do t’i hymë aventurave diplomatike për të rikthyer në shqyrtim një çështje që ka përfunduar”
Madje, qëndrimi i fundit zyrtar i Albin Kurtit për çështjen ishte se “do ta shqyrtonte” çështjen, para ambasadorit turk në Kosovë.
Gërvalla Schwarz më pas kishte bërë reagim të drejtë për kidnapimin që i kishte bërë Bjellorusia një gazetari nga ky shtet duke devijuar fluturimin e një aeroplani për në Minsk që po shkonte në Vilnius të Lituanisë.
“Putini bëhet më agresiv, llogarit në Perëndimin e dobët. Pa aprovimin e Putinit nuk ka sulm të Bjellorusisë ndaj aeroplanit, nuk ka kërcënime të reja nga Vuçiqi, me 30 tanke të reja, 30 mbajtëse nga Rusia. NATO, ShBA, BE duhet të ndërmarrin veprime për të mbrojtur aleatët. Kosova rrin gatitu!”

Sidoqoftë, reagimi i Gërvalla Schwarz u konsiderua si “jo-diplomatik” dhe me një anglishte të gjymtë.
Ajo ishte shfajësuar duke thënë se Twitteri lejonte pak karaktere.
NATO apo OKB?
Gërvalla Schwarz para disa ditësh gaboi në Twitter sërish duke e vënë flamurin e OKB-së te NATO. Kjo kishte ndodhur gjatë takimit të saj me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, z. Jens Stoltenberg.

Gërvalla Schwarzit i ishin shpërfillur disa deklarata vërtet të çuditshme edhe nga e kaluara, e në të cilat denonconte liderët e UÇK-së, Thaçin e Veselin, vëllezërit Haradinaj, Rexhep Selimin, Vetëvendosjen por edhe Ibrahim Rugovën për lidership të dobët.
“As nëntë për qind e kosovarëve nuk e kanë votuar Haradinajn, sepse shumë njerëz e përshkruajnë atë si një kriminel ordiner e primitiv që punon me presion e dhunë…. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e vuri në këtë pozitë për t’u rizgjedhur president. E shoh këtë sjellje shumë të keqe e të papërgjegjshme.”
Opozita e PDK-së ende kërkon që Gërvalla Schwarz të shkarkohet nga detyra e saj për shkak të disa qëndrimeve të shprehura në të kaluarën./Periskopi












