Erdhi dita: Ministria e Xhelal Sveçlës ngrit në detyrë mbështetën e Liburn Aliut dhe VV-së

Kadrije Rexhepi-Aliu ka marrë një pozitë të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gazeta Express ka siguruar dokumentin që thotë se Rexhepi-Aliu është emëruar Zëvendësuese e Udhëheqësit të Sektorit të Gjendjes Civile në ARC, që funksionon në kuadër të MPB-së. Më parë, ajo ishte nëpunëse administrative. Duket qartë se ajo merret edhe me politikën […]
Kadrije Rexhepi-Aliu që dikur kishte qenë nëpunëse administrative dhe ushtruese e detyrës së zyrtares për verifikim, është ngritur në pozitë në Agjencinë e Regjistrimit Civil. Ajo do të jetë zëvendësuese e udhëheqësit të Sektorit të Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Vendimi për emërimin e Kadrije Rexhepi-Aliut, është marrë me datë 4 qershor derisa është nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i ARC-së, Blerim Camaj.
Paga që do të gëzojë Rexhepi – Aliu, e cila duket se merret edhe me parti politike,ka koeficient 8.5.
Express e ka kontaktuar Blerim Camajn për ta pyetur për zyrtaren, për të cilen ai dha nënshkrimin që të rritet në pozitë.
Camaj e ka konfirmuar se Kadrije Rexhepi-Aliu është bërë ushtruese e detyrës, por që e arsyeton këtë duke thënë se e njëjta e ka kualifikimin që duhet për këtë pozitë, por nuk e di se çfarë fakulteti ka kryer.
Drejtori i ARC-së thotë se nuk ka informacione që e njëjta mund të jetë e afërt me LVV-në apo familjare e ndonjë ministri të Qeverisë Kurti. Camaj nuk e di edhe se në cilin fakultet i ka kryer studimet Rexhepi-Aliu, derisa, në profilin e saj në Facebook shkruan se ka të kryer fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës.
“Ato informacione i kam, nuk është ngritë në detyrë por është u.d”, thotë ai.
“E ka kualifikimin. E ka masterin. Nuk e di në cilin fakultet, atë veç personeli e dinë”, shton tutje, duke bërë të ditur se Rexhepi-Aliu nuk ka pasur kundërkandidat për këtë pozitë.
“Nuk kemi pas brenda atij sektori tjerë. Ka qenë e vetmja”, përfundoi i njëjti.
Express ka provuar që përmes telefonit të kontaktojë Ministrin e Infrastrukturës nëse ka lidhje familjare ose afërsi miqësore me të punësuarën në MPB, por, që ai nuk ka qenë i qasshëm për t’u përgjigjur.
Në thirrjet e gazetës nuk është përgjigjur as ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
E njëjta, po atë vit, radhitej në mesin e disa emrave që kishte ndihmuar me një shumë të hollash subjektin e udhëhequr nga Albin Kurti.
Të dhënat e saj janë të publikuar në shënimet për pasqyrat Financiare 01 Janar 2013 deri më 31 Dhjetor, 2013.
Rexhepi-Aliu është më shumë aktive në rrjete sociale, e aty e ka ekspozuar afërsinë me ministrin Aliu dhe VV-në.

















