Dreshaj i AAK-së kërkon të anulohet konkursi për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj në seancën e sotme plenare ku po diskutohet për anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit tha se konkursi dhe personat e përzgjedhur lë shumë për të dëshiruar. Ai tha se është shqetësuese dhe brengose mënyra e […]
Ai tha se është shqetësuese dhe brengose mënyra e përzgjedhjes së tyre.
“Sot, nuk dua të flas për nipa, as për mbesa e as për dajë, por për kritere dhe cilësi. E them kështu, sepse si Qeveri Kurti jeni ardhur me promovim cilësie, respektim ligji, respektim kritereve dhe rikthim shprese. Meqë jemi në këtë pike rendi të ditës, dua të konstatoj dhe potencojë që Konkursi dhe personat e përzgjedhur lënë shumë për tu dëshiruar, edhe pse besomni asnjërin nuk i njoh dhe nuk kam asgjë kundër asnjërit. Pra, në këtë konkurs, nuk e di për anëtarët e tjerë se kush ka aplikuar. Por për mua shqetësuese dhe ajo që më brengos është se nuk di se me çfarë kriteresh janë përzgjedhur këta 4 kandidate”, tha Dreshaj.
Ai ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mospërfilljen e kritereve të vendosura nga vet ministria.
“Dilema dhe Pyetja ime është se Kriteret të cilat i keni vendosur vetë, si MASH-të, për përzgjedhje dhe avancime të stafit akademik, publikimet në platformat elektronike si PubMed, Scopus, Web of science, ku mbeten? Kandidatët e përzgjedhur që janë sjellë para neve për aprovim, nëse hyni në këto platforma elektronike do të shihni se vetëm një kandidat ka 9 publikime, HI=5, ndërsa një tjetër një punim të publikuar i cili kurrë nuk është cituar, ndërsa dy të tjerët as që figurojnë në databazat e dijes ndërkombëtare, të cekura më lartë. Këto të dhëna secili prej juve, mund të verifikoni edhe tash nëse hyni në platformat e cekura.
Shqetësimi im është se Vallë Kosova nuk paska staf më cilësor se këta? Të nderuar kolegë, ju përkujtojë se Programet e Doktoratës për momentin mbahen dhe zhvillohen vetëm në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Dy kandidatë vijnë nga Kolegjet Private të cilat nuk kanë asnjë program PHD të akredituar, ndërsa kandidati që vjen nga UP-ja nuk gjendet askund në asnjërën nga sajtet e cekura”, tha Dreshaj.
Dreshaj ka kërkuar që të anulohet ky konkurs në mënyrë që të mos vazhdohet me improvizime.
“Si mund të vlerësojnë cilësi të programeve ata të cilët kurrë nuk kanë hartuar program te PHD, madje nuk kanë hartuar e as implementuar modul në PHD? Dhe zgjidhje ka, Anulojeni këtë konkurs, dhe mos improvizoni, mos hendikeponi sistemin arsimor për 4 vjet, sa është mandate i KShC-së. Hapni konkurs të ri ku do të respektoni kriteret të cilat vete i keni vendosur si kritere me rastin e përzgjedhjes dhe avancimit të stafit akademik”, tha Dreshaj.
Ai ka kërkuar që të përzgjidhen kuadro me CV të begatë, me publikime të plasuara në tregun ndërkombëtar të dijes, dhe kjo mund të arrihet shumë lehtë.
“Prandaj në cilësinë e profesorit të UP-së, si hartues dhe implementues i programit të PHD “Biomjekësia Experimentale”, në kuadër të programit Tempus, i sponzoruar komplet nga BE ku UP ishte Grand Holder, por edhe si Deputet që vijë nga Grupi Parlamentar i AAK-së Me qëllimin më të mirë ju rekomandoj që të: – Anuloni konkursin aktual dhe hapne të riun, – Respektoni kriteret e vendosura nga MASH-ti, lidhur me kriteret e përzgjedhjes dhe avancimit të stafit akademik, – Përzgjidhni Profesor të cilët kanë hartuar programe te PHD, – Përzgjidhni Profesor të cilët janë të dëshmuar në hartimin dhe implementimin e moduleve të caktuara ne programet e PHD ne UP. – Përzgjidhni kuadro me CV të begatshme, me publikime te plasuara në tregun ndërkombëtar të dijes, sepse Kosova ka staf universitar, të cilët promovojnë vendin, dijen dhe shkencën jashtë dhe në vend”.
“Këtë nuk e keni të vështirë, kontaktojeni UP, ose hyni faqen elektronike të Universitetit të Prishtinës. – Joshni cilësinë, kërkoni përgjegjësi, mos këqyrni përkatësinë politike partiake”
“Arsimi është i të gjithëve, sot i juve, ndërsa nesër i të tjerëve. Për fund dua të them që dëmet në arsim janë afatgjate, dhe Ideja ime është që të mendojmë se çka është më mirë, më e lehtë, dhe më e dobishme, pra a është anulimi i këtij Konkursi apo Rrezikimi i tërë procesit për plotë 4 vite?”, ka përfunduar deputeti Dreshaj.












