Analisti Salihu: Kurti nuk do të hyjë në histori si tradhtar, nuk do ta bëj Zajednicën

Analisti politik, Fitim Salihu ka komentuar deklaratën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka thënë se Kosova ka detyrim që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe historia nuk ka nisur në ditën kur u formua Qeveria e Albin Kurtit. Analisti, Fitim Salihu për Periskopin […]
Analisti, Fitim Salihu për Periskopin ka thënë se deklarata e Kosnett është pritur dhe nuk është befasuese sepse, sipas tij, edhe pse jo drejtpërdrejt, SHBA është paraqitur si palë në tyrezën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo deklaratë është e pritur dhe nuk ka asgjë befasuese. ShBA-ja ne vazhdimësi është munduar që ta paraqes veten si palë që përkrah procesin dialogues edhe kur nuk është drejtpërdrejt e ulur në tryezë e bisedimeve. Prandaj, nuk ishte risi as deklarata e ambasadorit Kosnett.”, ka thënë Salihu për Periskopin.
Me tej, Salihu ka thënë se beson që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të kundërshtojë formimin e Asociacionit dhe se në këtë aspekt Kurti duhet të përkrahet nga të gjitha palët.
“Por, unë kam besim se kryeministri Kurti do të qëndrojë stoik në parimin e tij për mosimplementimin e Zajednicës. Ai vete e ka quajtur akt tradhtie një gjë të tillë dhe kam besim që ai nuk do të bie në kurthin e të ngelurit në histori si një tradhtar. Unë besoj se Kurti nuk do ta implementojë Zajednicën dhe do të arrijë t’i bind partnerët tonë amerikan se ajo ide është e dëmshme. Zajednica do të nënkuptonte bosnjëzim të Kosovës dhe besoj që të gjitha palët duhet ta përkrahin kryeministrin Kurti në kundërshtimin e kësaj ideje të dëmshme.”, ka thënë ai.
Ndërsa, sot gjatë ditës, kryeministri Kurti ka kundërshtuar deklaratën e Kosnett, duke thënë se Asociacioni nuk mund të bëhet.
Ai edhe një herë ka përsëritur se Kosova nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike. Për më tepër ka theksuar se kjo është definuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, ka thënë Kurti.
Kurti i përgjigjet Kosnett për çështjen e Asociacionit: Nuk është i mundshëm
Ndryshe, Kurti dhe Vuçiqi janë takuar të martën në Bruksel dhe pritet të takohen përsëri me 25 korrik të këtij viti./Periskopi/












