Agjenda e takimeve të Kurtit në Bruksel: Pa asnjë kusht takon Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel, ku nesër pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Pavarësisht zotimeve të Kurtit se nuk do të takohej me Vuçiqin pa kërkuar falje për krimet e Serbisë të bëra gjatë luftës në Kosovë si dhe kompenzimin […]
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se takimi i nesërm është për kapitullin e ardhshëm të dialogut dhe se aty kreu i qeverisë do të paraqes vizionin dhe qëndrimin e Qeverisë për dialogun.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Bislimi, ka udhëtuar për në Bruksel për takimin e paralajmëruar për ditën e nesërme në mes tij dhe Alexander Vuçiq. Siç kemi thënë në vazhdimësi, takimi i nesërm nuk është takim i dialogut, por takim për dialogun, për dialogun e ardhshëm. Aty kryeministri Kurti do të paraqes vizionin dhe qëndrimet tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për të, e i cili duhet të jetë parimor dhe i drejtë, në shërbim të popujve të dy vendeve dhe i shkëputur nga ai i kaluari. Pra nga takimi synohet dakordim rreth kapitullit të ardhshëm të dialogut dhe agjendës së tij, pas diskutimeve shterruese të ditës së premte në Kuvendin e Republikës së Kosovës për dialogun e mëparshëm dhe dëmet e shkaktuar nga ai”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Para pak çastesh, KP raportoi se tashmë është zbardhur agjenda e takimeve të nesërme në Bruksel.
Sipas njoftimit të BE-së, në orën 08:20 është planifikuar arritja e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Joseph Borrell.
Pastaj, në orën 10:30, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Borrell, do të ketë takime bilaterale, te ndara, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ndërsa, një tryezë e përbashkët plenare është planifikuar për orën 11:00.
Në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.












