5 qëndrimet kryesore të shkelura nga Albin Kurti

Shumë militantë të Vetëvendosjes mezi kanë pritur ditën që lideri i tyre, Albin Kurti, të bëhej kryeministër i vendit. Por, ja që lideri i tyre megjithatë nuk u bë kryeministër nëse në ekuacion fusim edhe qëndrimet e tij të shprehura me shumë fanatizëm. Për nder të 100 ditëshit në pushtet, Periskopi iu sjell 5 qëndrimet […]
“Ku shtrihet sot, Albin Kurti?” – është pyetja që një qytetar i pahelmuar me politikën ditore mund t’i shtrojë vetes. Natyrisht, nuk është fjala se ku flen ai, pra për shtëpinë luksoze në Taslixhe që e paguan vetëm 250 euro në muaj, por për qëndrimet e tij politike.
Askush nuk e di.
- Reciprociteti
Reciprociteti ishte ndoshta fjala më e përmendur nga Albin Kurti gjatë viteve 2019 dhe 2020. Ai madje, premtoi haptas se vendosja e “Reciprocitetit ndaj Serbisë” do të ishte çështje ditësh e javësh “dhe assesi muajsh”.
Kështu nuk ndodhi.
Duke e ditur se Serbia nuk do të pranonte të ulej në tavolinën e negociatave me masën e Reciprocitetit ndaj saj, Kurti nuk e vendosi atë.
Ai u arsyetua se duheshin përgatitur zyrtarët doganorë për një gjë të tillë. Natyrisht, vitin e kaluar si kryeministër ai e kishte vënë “Reciprocitetin” pasi e kishte hequr “taksën 100%”.
- Kushtet për Negociata me Serbinë
Në këtë pikë, Albin Kurti i ka shkelur një varg qëndrimesh të cilat po i fusin të gjitha brenda kësaj pike. Nisur me “Jo Negociata”, e vazhduar me “Negociata me kushte”, e gjitha përfundoi në fund me plotësimin e kushteve të Serbisë për të hyrë në Negociata.
Kushtet të cilat Albin Kurti i kërkonte nga Serbia që të ulej në tavolinë me përfaqësuesit e tyre politikë ishin – ndër më kryesoret – dy: Kërkimfalja për krimet e luftës dhe dëmshpërblimet e luftës.
Me datën 15 qershor, edhe kësaj çështjeje i erdhi fundi.
- Pagesa e rrymës për serbët e Veriut
Qeveria Kurti II ka marrë përsipër pagesën e rrymës së papaguar për një vit të serbëve të Kosovës që jetojnë papërgjegjshëm në veri të vendit.
Tash e një kohë të gjatë, ky komunitet në këtë pjesë është privilegjuar nga të gjitha qeveritë e Kosovës dhe kjo me të drejtë ishte kritikuar nga Albin Kurti dhe Vetëvendosja. Por, ja që edhe kjo parti politike, e edhe ky lider politik, veproi njësoj.
Rreth 11 milionë euro do të ndahen nga taksat e qytetarëve të përgjegjshëm të Kosovës – shqiptarë, serbë, romë, ashkali, egjiptianë, boshnjakë, kroatë, malazez – për qytetarët serbë të veriut.
Madje, për fat të keq, raportohet se serbët në Veri të vendit po e përdorin rrymën nga Kosova për të rrëmuar Bitcoin, gjë e cila është tepër e kushtueshme – siç po raportohet në mbarë botën.
- Kartoni i Gjelbër
Kartoni i Gjelbër që paguhej nga mërgimtarët kishte qenë një tjetër premtim nga Kurti. Ai e kishte konsideruar, me të drejtë, si të padrejtë një pagesë të tillë që besohet se u kushtonte nga 15 euro.
Por, kjo na doli të ishte një politikë e gabuar për të cilën tashmë do të paguajnë qytetarët e varfër të Kosovës rreth 6 milionë euro.
Heqja e polisës kufitare dhe lehtësimi i xhepit të mërgimtarëve ndodhi, por u rëndua xhepi edhe më i varfër i banorëve rezidentë të Kosovës.
Kartoni i Gjelbër u bë Karton i Kuq për qytetarët e vendit.
- Dialogu i brendshëm me serbët e vendit
Kryeministri Kurti ka premtuar disa herë para ardhjes në pushtet se do të bëj “dialog të brendshëm me serbët e vendit” para se të bëj dialog me Serbinë.
Siç e dimë të gjithë, as kjo nuk ka ndodhur. Kurti është ulur në një tavolinë me Vuçiqin në Bruksel, derisa nuk ka madje kurrfarë iniciative qeveritare që Kosova të rris ndikimin te serbët e vendit.
Për më keq, Serbia është ajo që e ka rritur trysninë e edhe ndikimin te serbët e Kosovës të cilët gati 95 për qind e kanë votuar Listën Srpska. /Periskopi












