Si ndodhi vizita e Kadri Veselit në Kosovë?

Ditën e djeshme, opinioni u habit kur mësoi që Kadri Veseli – ish kryetari i PDK-së – kishte ardhur në Kosovë. Një gjë të tillë ai e bëri pasi mori leje nga Haga ku po qëndron në paraburgim i dyshuar për krime të luftës. Kjo leje i erdhi atij pasi babai iu sëmur rëndë. Veseli […]
Kjo leje i erdhi atij pasi babai iu sëmur rëndë.
Veseli në Kosovë vizitoi spitalin e Mitrovicës me emrin “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ndërsa ruhej nga forca të shumta të sigurisë, përfshirë edhe policët e Eulexit.
Si u arsyetua kjo gjë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë [Gjykata Speciale]?
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë”. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thanë ata.
Për babain e Veselit u raportua se kishte pësuar sulm në tru – dhe se ndodhej i shtrirë në repartin e neurologjisë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për vizitën e ish kryetarit të tyre, nuk e dinin madje as nga Partia Demokratike e Kosovës – gjë që tregon për rreptësinë e masave të marra.
Por, kishte qytetarë të cilët takuan ish kryetarin e PDK-së që po qëndron në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020.
“Unë kam qenë te prindi, e kam prindin pa qef, dhe e pashë kur erdhi Kadri Veseli me 7-8 truproja të Eulexit, e pashë dhe tentova me i folë, na përshëndeti, pata respekt për të”, tha një qytetar që kishte rastisur në oborrin e spitalit ato momente.
Një tjetër qytetare ka treguar se e ka parë Veselin duke folur e buzëqeshur dhe i kanë uruar mirëseardhje.
“Sot rastësisht unë dola në korridor dhe i pashë dy policë civil, njëri i kishte prangat prapa dhe ia kërkoi letërnjoftimin familjarëve të Kadri Veselit. Kur dola, po e shoh Kadri Veselin, duke buzëqeshur duke folur, truprojat kanë qenë në krejt repartin e spitalit. Kur ka ardhe i kemi thënë “Mirësekeardhur”, por nuk e kanë leju gjatë me kontaktu”, ka treguar ajo












