Rrahman Jasharaj zotohet se s’do ta lejojë kurrë testimin e mësimdhënësve

Rivlerësimi i mësimdhënësve ka shkaktuar polemika mes qeverisë dhe Rrahman Jasharajt ndër vite. Së fundi, megjithëse e kishte pikën e parë të programit, edhe Albin Kurti e hoqi nga prioritetet e tij një gjë të tillë duke e qetësuar kryetarin e SBAShK-ut. Por, ka një zhvillim tjetër. Është propozuar që në vend të rivlerësimit me […]
Është propozuar që në vend të rivlerësimit me test të mësimdhënësve të rritet numri i inspektorëve të arsimit në mënyrë që të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, po edhe njohës të fushës së arsimit, thonë se testimi nuk do të prodhonte asnjë rezultat në ngritje të cilësisë së arsimit në Kosovë.
Kundër testimit të mësimdhënësve është kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i cili thotë se një gjë të tillë nuk do ta lejojnë asnjëherë të bëhet.
“Atë që e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë, sepse ka aty këtu informata, thashetheme për ndonjë ide eventuale që të bëhet testi me shkrim për punëtorët e arsimit. Ne ketë gjë e kemi kritikuar edhe në kohën e ministrave të tjerë dhe po e them edhe një herë, SBASHK-u nuk do të lejojë asnjëherë që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Ne kërkojmë që të shkojnë inspektorët në orë të shohin si po punojnë ata”, thotë ai.
Testimin e mësimdhënësve e kundërshtojnë edhe njohës së fushës së arsimit, të cilët thonë se duhet të ketë një mbikëqyrje të vazhdueshme të performancës së mësimdhënësve.
Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, deklaron se duhet të ketë vlerësim të vazhdueshëm të performancës së mësimdhënësve, si dhe të përditësohet legjislacioni aktual për të rritur më shumë llogaridhënien brenda komunitetit të mësimdhënësve.
“Në Kosovë nuk ka mësimdhënës jo të mirë, mirëpo ka mësimdhënës të cilët janë shumë rehat në profesionin e tyre, kanë krijuar një lloj komoditeti të jashtëzakonshëm i cili dikur pastaj kthehet në një performancë jo të mirë. E kjo mund të eliminohet nëse kemi një infrastrukturë të mirëfilltë ligjore dhe kapacitet të mjaftueshëm prej anës së Ministrisë për një vlerësim meritokratik dhe transparent të performancës së tyre, dhe jo vlerësim një herë në pesë vite, mirëpo vlerësim të performancës së vazhdueshme që rrit presionin po edhe e rrit përgjegjësinë tek mësimdhënësit për punën”, thotë Qehaja.












