Haxhiu proteston kundër protestës së Këshillit Prokurorial: Thotë se nuk po ndërhyn në Drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas reagimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që nënkuptonte se ajo po ndërhynte në punët e drejtësisë. Haxhiu ka deklaruar se akuzat e bëra nga sistemi prokurorial janë “të papranueshme”. “Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre […]
Haxhiu ka deklaruar se akuzat e bëra nga sistemi prokurorial janë “të papranueshme”.
“Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime.” – ka thënë znj. Haxhiu në një reagim të botuar në Facebook, përcjell Periskopi.
Ajo ka thënë se do të vazhdojë tutje që me përkushtim të adresojë problemet e sistemit të drejtësisë por brenda “kompetencave kushtetuese dhe ligjore” dhe se që të kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë e ka obligim.
Ndaj disa deklaratave të dhëna nga Albulena Haxhiu ka reaguar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës [KGjK].
Statusi i plotë:
Që nga dita e parë kam punuar me përkushtimin më të madh në drejtim të krijimit të kushteve më të mira përmes politikave adekuate për sistemin e drejtësisë.
Sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme të natyrave të ndryshme për çka jemi dëshmitarë të gjithë.
Çështja e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive dhe anëtarëve të KPK, gjithashtu ka qenë një problem tjetër për çka nuk kanë qenë vetëm shqetësimet tona të cilat i kemi bërë publike, por kanë qenë po ashtu reagimet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kishin përcjellur shqetësimet serioze në këtë drejtim.
Për mua si Ministre e Drejtësisë janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi. Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime.
Deklarimet e mia janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore në kuptim të ndarjes së pushteteve dhe me qëllim të adresimit sa më adekuat të problemeve. Asnjëherë nuk do t’i mbyllë sytë kundrejt të njëjtave.
Si Ministre e Drejtësisë, do të vazhdoj tutje që me përkushtim të adresoj problemet e sistemit të drejtësisë brenda kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, në kuptim të ndërtimit të një sistemi sa më profesional, të pavarur dhe efikas. Vetëm kështu mund të kthehet besimi i qytetarëve në institicionet e drejtësisë. Këtë e kemi obligim!












