Gjykata e Hagës e dënon me 25 vjet burg ish-luftëtarin fëmijë nga Uganda

Gjykata Ndërkombëtare Kriminale në Hagë ka dënuar ish liderin ushtarak dhe ushtarin fëmijë nga Uganda me 25 vjet burg pasi u shpall fajtor për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Gjykatësi kryesues, Bertram Schmitt, i tha panelit të gjyqtarëve se kishte konsideruar në dënimin e Dominic Ongwenit me burgim të përjetshëm, por se kishte […]
Gjykatësi kryesues, Bertram Schmitt, i tha panelit të gjyqtarëve se kishte konsideruar në dënimin e Dominic Ongwenit me burgim të përjetshëm, por se kishte vendosur kundër një gjëje të tillë për shkak të vuajtjeve personale të të pandehurit.
Ongwen ishte dënuar në shkurt nën akuzat për vrasje, dhunim, skllavëri seksuale, rrëmbim dhe torturë të kryera si komandant në Ushtrinë e Rezistencës së Zotit [LRA], një kult i dhunshëm që bëri fushata të përgjakshme në Ugandë dhe shtetet fqinje prej mesit të viteve ’80 e deri para pak kohësh, shkruan The Guardian, përkthen Periskopi.
Gjykata kishte refuzuar argumentet e mbrojtjes që thoshin se komandant Ongwen ishte rrëmbyer nga LRA-ja në moshën 10 vjeçare dhe se krimet i kishte kryer nën detyrim.
41 vjeçari ishte “autor krimesh që me vullnet solli vuajtje të tmerrshme në viktimat e tij, sidoqoftë, ai ishte autor krimesh që edhe vetë kishte vuajtur dhimbje të tmerrshme në duart e grupit në të cilin u bë anëtar i njohur dhe lider,” lexoi Schmitt dënimin.

Ky rast është një ndër më të rëndësishmit në historinë 18 vjeçare të Tribunalit të Hagës, por që ka ngritur pyetje të vështira për çështjen e përgjegjësisë dhe fajësisë. Vendimi i tribunalit do të ketë impakt tepër të rëndësishëm në përndjekjet e krimeve kundër njerëzimit në të ardhmen, thonë ekspertët.
Avokatët e Ongwenit, i pari ish fëmijë ushtarë që u gjykua në Hagë, argumentuan se ai nuk duhej të merrte më shumë se 10 vjet burg për shkak se kishte qenë i traumatizuar kur LRA-ja e kishte rrëmbyer si 10 vjeçar.
Në paraqitjen e parë para Gjykatës në dhjetorin e 2016-s, Ongweni kishte thënë se do ta deklaronte veten të pafajshëm.
Sidoqoftë, gjykatësit e përshkruan Ongwenin si një luftëtar shumë të zotin dhe një komandant që kishte planifikuar sulmet me shumë kujdes, duke i matur rreziqet, dhe që vazhdimisht lavdërohej nga komandantët e tjerë.
Shumica e akuzave ndaj tij ishin të fokusuara në sulmet ndaj kampeve të refugjatëve mes viteve 2002 dhe 2005. /Periskopi












