Deri tash janë vaksinuar rreth 100 milionë amerikanë

Shtëpia e Bardhë tha të premten se 100 milionë amerikanë tani janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19, gati dyfishi i 55 milionë vaksinimeve që ishin realizuar deri një muaj më parë. Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë e COVID-19, Jeff Zients e quajti “moment historik” arritjen e këtij numri në një konferencë shtypi të […]
Shtëpia e Bardhë tha të premten se 100 milionë amerikanë tani janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19, gati dyfishi i 55 milionë vaksinimeve që ishin realizuar deri një muaj më parë.
Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për pandeminë e COVID-19, Jeff Zients e quajti “moment historik” arritjen e këtij numri në një konferencë shtypi të premten.
“Njëqind milionë amerikanë tani janë me një ndjenjë lehtësimi dhe qetësie shpirtërore, duke ditur që pas një viti të gjatë dhe të vështirë, ata janë të mbrojtur nga virusi”, tha zoti Zients.
Çdo amerikan mbi 16 vjeç tani kualifikohet për të bërë vaksinën dhe Presidenti Joe Biden ka premtuar se do të ketë doza të mjaftueshme për çdo amerikan të rritur deri në fund të majit.
Situata në Shtetet e Bashkuara është në kontrast të plotë me atë në Indi, ku pandemia e koronavirusit po del jashtë kontrollit. Sipas ministrisë së shëndetësisë të Indisë, vetëm 2% e popullsisë së vendit është vaksinuar plotësisht, bazuar në të dhënat e marra deri ditën e enjte. Të premten, ministria e shëndetësisë raportoi 386.452 infeksione të reja.
Në bazë të shifrave zyrtare, në India janë shënuar mbi 300,000 raste të reja në ditë për nëntë ditë rresht, por mediat indiane njoftojnë se disa ekspertë të shëndetit publik besojnë se numri aktual i infeksioneve të reja mund të jetë të paktën pesë herë më i lartë.
Ndihma nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera arriti në Indi të premten. Ndihma amerikane përfshin furnizime me oksigjen, teste të shpejta diagnostikuese dhe materiale për prodhimin e vaksinave.












