Albin Kurti mbron Gërvallën: Thotë që u nis fushatë kundër saj pas “suksesit në Bruksel”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbrojtur shefen e diplomacisë, Donika Gërvalla Schwarzin pas sulmeve të kësaj të fundit ndaj krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe bashkëpunëtorin e Kurtit, Rexhep Selimin. Ai pretendon se ka një fushatë “kundër saj” pasi ajo u kthye nga vizita “e suksesshme” në Bruksel. Në fakt, nuk dihet se çfarë lidhshmërie […]
Ai pretendon se ka një fushatë “kundër saj” pasi ajo u kthye nga vizita “e suksesshme” në Bruksel. Në fakt, nuk dihet se çfarë lidhshmërie sheh shefi i Ekzekutivit mes vizitës në Bruksel dhe deklaratave të Gërvallës për krerët e UÇK-së, shumica prej të cilëve ndodhen në Hagë.
Gërvalla jo më larg se vitin e kaluar e kishte sulmuar edhe partinë e z. Kurti, Vetëvendosjen që e kishte emëruar shef të grupit parlamentar z. Rexhep Selimi, duke e quajtur “figurë të botës së krimit”. Selimi mbetet ende shef i këtij grupi parlamentar, që ushtrohet nga Mimoza Kusari, përcjell Periskopi.
Kurti ka pretenduar se Gërvalla e “mbron dhe afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në.”
Statusi i plotë:
Dje, duket që filloi një fushatë kundër zëvendëses sime dhe ministres së MPJD, znj. Donika Gërvalla, me tezën se ajo nuk e respekton UÇK-në. Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel.
Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në. Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër.












