Takimi i Vjosa Osmanit me Lumir Abdixhikun pritet të jetë ‘ferr i vërtetë’: Çka do të diskutohet?

Mbrëmë u formua Qeveria e Kosovës pasi fillimisht u konstituua edhe Legjislatura e VIII e Kuvendit të Kosovës. Sidoqoftë, vendi vazhdon të mbetet me ushtrues detyre të presidentit, pasi Vjosa Osmani nuk ka votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë post. Takimi me Abdixhikun e LDK-së është në prag, por pse ky takim mund […]
Lumir Abdixhiku në takimin e javës së kaluar me dyshen Kurti-Osmani ishte i prerë në qëndrimet e tij, e megjithatë krijoi shumë hapësirë për interpretime.
Ai tha se Vjosa Osmani duhej të sqaronte pozicionin e saj me “Vetëvendosjen, LDK-në, partitë opozitare dhe sidomos me nismën e saj të paralajmëruar politike”.
Abdixhiku madje shtoi se priste një takim vetëm për vetëm me znj. Osmani, pa praninë e kryetarit të Vetëvendosjes – tash kryeministër – Albin Kurtit.
Kryetari i LDK-së ka shprehur qëndrimin e tij se presidenti i vendit duhet të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve të vendit dhe i të gjitha subjekteve politike përfaqësuese, raporton Periskopi.
“Si LDK ne gjithmonë kemi thënë se nuk jemi të interesuar të shkaktojmë mos-stabilitet politik. Ideja është që të kemi një president që përfaqëson të gjithë qytetarët, e jo vetëm një parti politike.” – kishte thënë z. Abdixhiku në takimin e fundit.
Takimi
Vjosa Osmani kërkon të bëhet presidente derisa njëkohshëm ka paralajmëruar themelimin e një partie politike.
Kjo parti politike në fazën e saj embrionale, si pjesë e Vetëvendosjes, ishte quajtur “Lista Vjosa”.
Mënyrën se si ajo do të përfshihet në partinë e saj, znj. Osmani pritet ta sqarojë para Abdixhikut.
Një tjetër pikë problematike është edhe bashkëpunimi i saj i ngushtë me Vetëvendosjen, nga e cila parti mori edhe mbështetjen qytetare.
Osmani ka manifestuar vazhdimisht afërsinë e saj me z. Kurti dhe deputetët e Vetëvendosjes, çka përbën shkelje të frymës kushtetuese që kërkon prej presidentit të jetë apartiak.
Nuk dihet se si mund ta bind znj. Osmani kreun e LDK-së se do të jetë apartiake gjatë mandatit të saj pesë vjeçar.
Një tjetër problem i madh është se Lista Vjosa nuk do të ketë as grupin e saj parlamentar sepse nuk ka gjashtë deputetë në Kuvend – pasi dy prej tyre kanë marrë pozicione ministrore.
Ajo çka mund të afrojë palët, do të ishte asnjanësia e katër deputetëve të mbetur të Listës Vjosa – ose, eventualisht, afërsia e tyre apo bashkimi me grupin parlamentar të LDK-së. /Periskopi












