Raporti i Agjencisë ndan të dhëna horror: Militantët islamikë po iu prejnë kokat fëmijëve të vegjël

Agjencia “Save the Children” [shq. Ruaj Fëmijët] ka thënë se militantët islamikë janë duke i vrarë fëmijët me prerje koke, fëmijë këta deri në 11 vjet që jetojnë në provincën veriore të Mozambique-s, Cabo Delgado. Një nënë i tha agjencisë se asaj iu desh ta shihte djalin e saj 12 vjeçar derisa vritej në një […]
Një nënë i tha agjencisë se asaj iu desh ta shihte djalin e saj 12 vjeçar derisa vritej në një rrugë afër vendit ku po fshihej bashkë me fëmijët e tjerë.
Më shumë se 2 mijë e 500 njerëz janë vrarë dhe 700 mijë të tjerë kanë ikur nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i kryengritjes së islamikëve në 2017-n, raporton BBC, përkthen në shqip Periskopi.
Militantët janë të lidhur me grupin e Shtetit Islamik [IS].
Në raportin e saj, Save the Children ka thënë se ka folur me familjet e zhvendosura që kanë raportuar skena mizorie në provincën e pasur me gaz.
Një nënë, emri i të cilës nuk është dhënë, ka thënë se fëmija i saj më i madh ishte vrarë me prerje koke afër vendit ku po fshihej me fëmijët e tjerë.
“Atë natë fshati ynë u sulmua dhe shtëpitë na u dogjën,” tha ajo.
“Kur krejt kjo nisi, isha në shtëpi me katër fëmijët e mi. Ne provuam të iknim maleve por ata ma morën djalin më të madh dhe ia prenë kokën. Nuk mund të bënim asgjë sepse edhe neve do të na vrisnin.”
Një grua tjetër tha se edhe djali i saj ishte vrarë nga militantët ndërsa ajo me tre fëmijët e saj ishte detyruar të ikte.
“Pasi fëmija im 11 vjeçar m’u vra, ne e kuptuam se nuk ishim të sigurt që të rrinim më në fshat,” tha ajo.
“Ikëm në shtëpinë e babait tim në një fshat tjetër, por disa ditë më vonë sulmet filluan edhe atje.” /Periskopi












