Kurti thotë se Qeveria Hoti po punëson njerëz për t’ia sabotuar atij pushtetin

Albin Kurti nëpërmjet një mesazhi në Facebook, ka denoncuar qeverinë në largim për keqshpenzimin e buxhetit derisa ka thënë se në këtë kohë, po ndodhin edhe rekrutime e punësime. Kurti ka denoncuar qeverinë Hoti edhe se po punëson njerëz me qëllim që t’ia sabotojnë punën qeverisë së ardhshme. Dy mesazhet e Kurtit: “1. Keqshpenzim të […]
Albin Kurti nëpërmjet një mesazhi në Facebook, ka denoncuar qeverinë në largim për keqshpenzimin e buxhetit derisa ka thënë se në këtë kohë, po ndodhin edhe rekrutime e punësime. Kurti ka denoncuar qeverinë Hoti edhe se po punëson njerëz me qëllim që t’ia sabotojnë punën qeverisë së ardhshme.
Dy mesazhet e Kurtit:
“1. Keqshpenzim të buxhetit nën maskën e përballjes me pandeminë, por kryekëput me synimin e ndikimit në mbështetjen elektorale. Vaksinat si parandaluesi kryesor i shpërndarjes së pandemisë nuk janë siguruar ende, ndërsa nuk dihet koha e fillimit të vaksinimit as sot e kësaj dite, një vit pas shpalljes së pandemisë, ndërkohë që kanë vazhduar me miratim të shpronësimeve për autostrada! Do t’i mungojnë buxhetit të vendit dhe qeverisë së re, mjete shumë të rëndësishme financiare që do ishin përdorur kryesisht për të garantuar stabilizim sa më të shpejtë të aktivitetit ekonomik. 2. Emërime të përditshme nëpër pozita drejtuese të personave të afërt me pushtetin, me synimin që edhe përkundër humbjes së qeverisjes, të sabotojnë punën e qeverisë në ardhje duke i lënë ‘barrë’ të punës me drejtues që nuk janë pjesë e qeverisjes së re por potencial i pengimit të saj. Vrapi pas intervistimeve, nominimeve, rekrutimeve dhe emërimeve nëpër ndërmarrje publike (si në menaxhment të tyre ashtu edhe nëpër borde), agjencione ekzekutive, rregullatorë, klinika, apo drejtori e departamente ministrish nuk po ka të ndalur”, shkruan Kurti.
Ai ka paralajmëruar:
- Çdo intervistim, nominim, rekrutim apo emërim duhet të ndërpritet menjëherë dhe të mos vazhdojë deri në votimin e qeverisë së re. Secili emërim i nënshkruar pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të anulohet që në javën e parë të qeverisjes, dhe kjo vetëm mund të dëmtojë personat e përfshirë. 2. Secili vendim që ka nënkuptuar shpenzim të pakontrolluar të parasë publike pas rrëzimit të qeverisë anti-kushtetuese do të auditohet dhe për çdo keqpërdorim do fillohen procedurat normale të kërkimit të përgjegjësisë.












