Hapja e Ambasadës në Jerusalem: Hoxhaj denoncon Kurtin dhe Hotin për “mosguxim”

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem – duke bërë kritika edhe ndaj Qeverisë Hoti dhe asaj potenciale Kurti. Hoxhaj ka akuzuar të dyja këto lidershipe për “mos-guxim”, “mos-vendosmëri” dhe “përvojë” që ta shënjonin siç duhej një hap të tillë vendimtar për shtetin tonë. “Për […]
Hoxhaj ka akuzuar të dyja këto lidershipe për “mos-guxim”, “mos-vendosmëri” dhe “përvojë” që ta shënjonin siç duhej një hap të tillë vendimtar për shtetin tonë.
“Për disa javë, autoritetet e larta të Shtetit të Izraelit kanë pritur zyrtarisht koalicionin qeverisës dhe koalicionin fitues të zgjedhjeve për ta hapur ambasadën në Jeruzalem, por askush nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Asnjëri nga zyrtarët e këtyre dy koalicioneve, nuk është përgjigjur në letrat dhe thirrjet telefonike lidhur me këtë proces.” – ka denoncuar z.Hoxhaj, që pritet të jetë krye-opozitar i qeverisë në ardhje, përcjell Periskopi.
Ai ka denoncuar më tej edhe “dykuptimësinë” apo “ambiguitetin” e promovuar sidomos nga Albin Kurti, i cili kishte qenë hezitues për hapin që duhet marrë në lidhje me çështjen.
Kurti kishte deklaruar se do të shqyrtonte një hap të tillë, pas letrave të kundërta që kishte marrë nga presidenti turk Erdogan dhe nga kryeministri izraelit Netanyahu, respektivisht.
Hoxhaj ka qenë edhe shef i diplomacisë së Kosovës gjatë Qeverisë Mustafa. /Periskopi
Statusi i plotë:
Një qeveri në shkuarje dhe një qeveri në ardhje nuk patën guxim, as vendosmëri dhe përvojë për të shënuar hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael duke i lënë një shije të hidhur të gjithë procesit të njohjes ndërmjet dy vendeve tona.
Për disa javë, autoritetet e larta të Shtetit të Izraelit kanë pritur zyrtarisht koalicionin qeverisës dhe koalicionin fitues të zgjedhjeve për ta hapur ambasadën në Jeruzalem, por askush nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Asnjëri nga zyrtarët e këtyre dy koalicioneve, nuk është përgjigjur në letrat dhe thirrjet telefonike lidhur me këtë proces. Përkundrazi, të frikësuar, në panik dhe të papërgjegjshëm i kanë ikur pjesëmarrjes për një njohje shumë të rëndësishme të Kosovës. Kanë braktisur rolin e tyre kushtetues dhe politik që u takon për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shtetit tonë.
Dykuptimësia e dobëson Kosovën kurse qartësia strategjike e rrit kredibilitetin e saj ndërkombëtar. Duke besuar se të tilla situata nuk do të përsëriten në të ardhmen, falendëroj SHBA-të dhe Izraelin për njohjen dhe fillimin e një kapitulli të ri ndërmjet shteteve, popujve dhe ekonomive tona












