IKD: Për rastin e Agonis Tetajt të mbahet përgjegjës edhe ish-kryeprokurori Haxhi Dërguti

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj zhvillimeve në çështjen penale ku i akuzuar për vrasjen e tanimë të ndjerit Agonis Tetaj është Shaban Gogaj, i cili fillimisht akuzohej për veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa në seancën që ishte mbajtur më 16 mars, prokurori Agron Uka kishte bërë rikualifikimin e veprës […]
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj zhvillimeve në çështjen penale ku i akuzuar për vrasjen e tanimë të ndjerit Agonis Tetaj është Shaban Gogaj, i cili fillimisht akuzohej për veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa në seancën që ishte mbajtur më 16 mars, prokurori Agron Uka kishte bërë rikualifikimin e veprës penale në vrasje nga pakujdesia.
Pas gjithë dyshimeve që janë ngritur për këtë rast, IKD përshëndet vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit që në kuadër të kompetencave të tij ligjore ka marrë lëndën në fjalë nga prokurori i çështjes Agron Uka dhe të njëjtën do ta ricaktojë tek një prokuror tjetër.
Po ashtu, kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, si autoritet kompetent që të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj prokurorit, Agron Uka.
“Me këtë rast, IKD kërkon që ky vendim i Kryeprokurorit të Shtetit të pasohet edhe me masa adekuate ndaj njërit prej akterëve kryesorë në këtë rast që është ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti. IKD kërkon që ndaj ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti të iniciohen procedurat penale dhe disiplinore për shkak të mënyrës së kundërligjshme me të cilin ish-kryeprokurori Dërguti kishte vendosur që nga kjo lëndë të përjashtohet Prokuroria Themelore në Pejë dhe e njëjta të delegohet në Prokurorinë Themelore në Gjilan. Një veprim të tillë, Dërguti e kishte bërë duke i tejkaluar kompetencat e tij ligjore, pasi që të njëjtat, nuk i japin asnjë mundësi Prokurorisë së Apelit që të vendosë lidhur me përjashtim të prokurorive themelore”, thuhet nw reagim.












