Dënohet ish-deputetja Shqipe Pantina (Detajet)

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë ish-deputeten e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Pantina, pasi e njëjta ka pranuar fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe atë të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Sipas aktgjykimit të shpallur […]
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Isuf Makolli, e akuzuara Pantina u dënua me 400 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, kurse me 6 muaj burgim me kusht për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj saj u shpall pas shqyrtimit fillestar të mbajtur të hënën, ku pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, e akuzuara Pantina u deklarua fajtore.
E njëjta gjithashtu u ngarkua me shpenzimet e procedurës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 11 gushtit 2016, Shqipe Pantina akuzohet se me 27 shkurt 2016, rreth orës 16:30, në sallën e punimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë të paautorizuar ka poseduar një bombol gazi lotsjellës, të cilën ka tentuar ta ndezë në ulësen ku ishte e ulur afër grupit të vet parlamentar dhe e njëjta i është konfiskuar nga ana e policisë.
Me këtë, Pantina akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, e pandehura ka sulmuar personat zyrtar, policët Valdete Gubetini dhe Fikrije Rashica, të cilat ishin në kryerjen e detyrave zyrtare, derisa të dëmtuarit ishin duke u përpjekur që të pandehurës t’ia marrin bombolën e gazit lotsjellës nga dora, me ç’rast të dëmtuarës-polices Valdete Gubetini i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Më këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.












