Ambasada në Jerusalem s’është punë e kryer: Çka thotë Rezoluta e OKB-së që Erdogan i përmendi Kurtit?

Çështja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem vazhdon është ri-aktualizuar pas letrës së fundit që presidenti turk Erdogan i ka dërguar kryeministrit kosovar Albin Kurtit. Erdogan i kërkon Kurtit që çështja të rishikohet brenda “kornizës së rezolutave përkatëse të OKB-së dhe të Drejtës Ndërkombëtare”. Megjithëse qëndrimi zyrtar i kryeministrit Kurti është ende “në shqyrtim” për […]
Megjithëse qëndrimi zyrtar i kryeministrit Kurti është ende “në shqyrtim” për hapjen apo mos-hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ajo Ambasadë tashmë është hapur dhe Kosova e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Vendi ynë është vetëm i treti pas ShBA-ve dhe Guatemalës që ndërmerr një hap të tillë. Edhe Republika Çeke ka hapur një mision diplomatik në kryeqytetin e kontestuar të Izraelit, por duke mos e mbyllur Ambasadën në Tel Aviv.

Erdogan në letrën dërguar Kurtit i referohet popullit kosovar si “popull vëlla” por nuk harron të përmend sërish Ambasadën në paragrafin më të gjatë në letër.
Në atë letër, Erdogan i përmend Kurtit vetë shqetësimin e tij për një çështje të tillë, shkruan Periskopi.
“Nga ana tjetër, pasi që e di se edhe ju keni gjithashtu shqetësime në lidhje me çështjen e Ambasadës së Kosovës…” – nis ky paragraf që synon të ndërhyjë në politikën e Jashtme të Kosovës.
Çka thotë Rezoluta e OKB-së për Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit?
Rezoluta e Asamblesë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara ES-10/L.22 u lëshua në një seancë emergjente e që shpallte statusin e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit “null” dhe “void” [përkthyesi i Periskopit nuk njeh termet juridike në shqip që përdoren për këto dy terme, dhe sidomos kur përdoren njëri pas tjetrit, por në një përkthim të vrazhdë kjo bën “joekzistent” dhe “të pavlefshëm”].
Kjo draft-rezolutë ishte draftuar nga Jemeni dhe Turqia. Megjithëse ishte kundërshtuar fuqishëm nga ShBA-të, ajo kishte arritur të merrte miratimin e 128 shteteve, kishte marrë vetëm 9 vota kundër dhe 21 mungesa dhe 35 abstenime.
Më 6 dhjetorin e 2017-s, presidenti i asokohshëm amerikan Donald Trump kishte thënë se do ta njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit duke nisur procesin e largimit të ambasadës amerikane nga Tel Avivi drejt Jerusalemit.
Votimin e kësaj rezolute, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu e kishte refuzuar dhe e kishte quajtur OKB-në “shtëpi të rrenave”.
Çka po kërkon Erdogan nga Kurti?
Erdogan në letrën drejtuar Kurtit ku e uron për marrjen e pozitës së kryeministrit, po kërkon prej tij të “shqyrtojë” çështjen e ambasadës – ose me fjalë të tjera që të revokojë vendimin dhe të mbyllë ambasadën në Jerusalem.
Çka dihet për Kurtin?
Kurti ka shprehur shqetësime publike për çështjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Vetëvendosje ka denoncuar edhe më herët politikat agresore të Izraelit kundrejt palestinezëve.
Por, qëndrimet e Kurtit dhe Vetëvendosjes ndryshojnë.
Kurti ka pozicionin zyrtar atë të “shqyrtimit” të dokumentacioneve të qeverisë në ikje për Ambasadën – që nënkupton se ende nuk është i vendosur nëse Ambasada do të mbetet në Jerusalem apo do të hiqet prej aty.
Një tërheqje e mundshme e Ambasadës nga Jerualemi, përveç dëmeve minore si ndalja e investimeve të Izraelit, do të përbënte edhe një shok diplomatik dhe një grusht të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Periskopi do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet në lidhje me çështjen. /Periskopi












