Shtyhet seanca ndaj ish-deputetit të VV-së për hedhjen e gazit lotsjellës

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte paraparë të mbahej seanca fillestare ndaj ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, i akuzuari për përdorim të mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Mirëpo, me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit, avokatit Naser Sopjani, kjo seancë është shtyrë për datën […]
Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte paraparë të mbahej seanca fillestare ndaj ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, i akuzuari për përdorim të mjetit të rrezikshëm dhe pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Mirëpo, me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit, avokatit Naser Sopjani, kjo seancë është shtyrë për datën 15 prill 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ramadani po akuzohet nga prokuroria se më 21 mars 2018 në seancën e jashtëzakonshme që po zhvillohej në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kishte hedhur gazin lotsjellës, si dhe kishte penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, në këtë rast deputetët e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast ishin ndërprerë punimet e kësaj seance.
Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që seanca ndaj të akuzuarit Ramadani po dështon të mbahet me kërkesë të mbrojtjes.
Në seancën e 17 dhjetorit 2020, avokati Sopjani pas leximit të aktakuzës, kishte propozuar që seanca të shtyhej me arsyetimin se i njëjti sapo ishte pajisur me shkresa të lëndës dhe i duhej kohë për analizimin e tyre.
Ndërsa në seancën e kësaj të mërkure, avokati sërish ka propozuar që të shtyhej seanca, pasi që sipas tij, sot është pajisur nga prokuroria me 10 CD që janë provë e këtij rasti, dhe se i duhet kohë për analizimin e tyre.
“Unë si mbrojtës sot pranova 10 CD-të nga prokurori i shtetit e të cilat nuk i kam pranuar më herët për shkak se ditëve në fillim pas seancës së kaluar nuk kanë qenë gati, kurse javën e fundit ne Oda e Avokatëve të Kosovës jemi në bojkot me Prokurorinë e Prishtinës edhe nuk kemi mujt me shku me i marrë, andaj për këtë arsye kërkoj që seanca e sotme të shtyhet deri në analizimin e provave-CD-ve”, tha ai.
Lidhur me këtë prokurori Besart Mustafa, ka thënë se CD-të kanë qenë në dispozicion në muajin shkurt, dhe se për këtë ishte kontaktuar avokati Sopjani.
“CD-të kanë qenë në dispozicion në muajin shkurt dhe është njoftuar mbrojtësi i të akuzuarit, është kontaktuar sërish nga zyra ime mirëpo nuk ka pasur qasje në telefon, kështu që ndonëse kanë qenë të njoftuar për CD, CD-të arritëm të ja dorëzojmë vetëm sot. Nuk e kundërshtoj propozimin e avokatit”, tha prokurori Mustafa.
Ndërsa në këtë seancë nuk ka prezantuar përfaqësuesi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Valon Dobruna, për të cilin gjykatësja Lumnije Krasniqi ka thënë se ka qenë i njoftuar dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.
Fillimisht seanca fillestare në këtë rast ishte caktuar për 12 tetor 2020, e cila nuk kishte arritur të mbahej për shkak të mos pranimit të ftesës nga i akuzuarit Ramadani, Andaj gjykata e kishte përsëritur ftesën për të njëjtin, duke e dërguar ftesën edhe në vendin e punës së të akuzuarit Ramadani.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 korrik 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, të cilin e akuzon për dy vepra penale dhe atë “përdorimi i i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375 par.1 të KPRK-së si dhe për “pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409 par.1 të KPRK-së.
Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.
Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së.












