Mori pak ndihmë para 26 vitesh si i sëmurë – plaku nuk harron dhe qe 7 vjet ia kthen Nënë Terezës

Angazhimi vullnetar në Kosovë nuk duket krejtësisht vullnetar duke qenë i shpërblyeshëm financiarisht apo edhe përmes mundësive të ndryshme. Por, qytetari Faik Sefa bën përjashtim. Ai është një 79 vjeçar që në mënyrë autentike shlyen ‘borxhin’ e marrë para 26 vitesh nga “Nënë Tereza”. Vullnetarizmi i Faik Sefën e shtynë atë që të çohet gati […]
Vullnetarizmi i Faik Sefën e shtynë atë që të çohet gati çdo ditë para orës 8 të mëngjesit, të marrë autobusin nga Bunari i Harjatit, dhe të zbres në Sheshin “Nënë Tereza” për të kryer veprimin e tij vullnetar.
Ai e fshin për çdo ditë hapësirën ku është e vendosur statuja e humanistes së madhe me origjinë shqiptare, “Nënë Tereza”.
Sefa është një qytetar nga fshati Koliq i Prishtinës që ka mirënjohje të thellë për atë që i kishte ndodhur në vitin 1995.

Para kamerës së Periskopit ai ka deklaruar se në vitin 1995 kishte pasur probleme shëndetësore dhe njëkohshëm vështirësi financiare. Kishte qenë shoqata humanitare “Nënë Tereza” e cila e kishte ndihmuar.
Ai përmend edhe mjekun Arif Demolli, për bamirësinë e tyre që t’i jepnin për tri vjet ilaçe pa pagesë.
Problemi shëndetësor që kishte pasur ishte shtypja e lartë e gjakut.
“Prej atëherë [kohës sa kishte marrë ndihmën për sëmundjen] e kam pasë [shqetësimin]: a muj me ia kthy naj herë?” – thotë ai.
Dhe, si një akt vullnetar për t’i kthyer në një formë ndihmën që kishte marrë, ai kishte vendosur ta pastronte hapësirën ku ndodhej shtatorja.
Prishtina vazhdon të vuajë rëndë nga mbeturinat.
“Unë ma fort e bëj shkaku i Nënës Terezë – dhe kom me fshi qaq sa muj me dalë.” – vazhdon ai.
Ai ka deklaruar se pastrimin e asaj pjese e bën tash e shtatë vite.
*Më vonë do të keni reportazhin e plotë për z.Sefa












