Trondisin dëshmitarët: S’paguam asgjë, Ukë Rugova na pajisi me viza italiane

Dëshmitari tha se me këtë vizë kishte udhëtuar njëherë vetëm dhe herën tjetër bashkë me të akuzuarin Haraqija, me të cilin tha se kishin udhëtuar me veturë, për t’i vizituar disa shokë në Evropë. Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Muhamet Cacaj, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Florije Shamolli, […]
Dëshmitari tha se me këtë vizë kishte udhëtuar njëherë vetëm dhe herën tjetër bashkë me të akuzuarin Haraqija, me të cilin tha se kishin udhëtuar me veturë, për t’i vizituar disa shokë në Evropë.
Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Muhamet Cacaj, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Florije Shamolli, ka thënë se nga i akuzuari Ukë Rugova ishte pajisur me vizë italiane shengen.
“Vëllai im Sali Cacaj njihet familjarisht me Ukë Rugove, e kam pyetur vëllain se a ka naj mundësi me marrë vizë familjare, më tha do shikoj. Pastaj më tregoj se duhet me i nxjerrë disa dokumente, certifikatën e lindjes dhe certifikatën e gjendjes familjare, të cilat i kam nxjerrë, si dhe sigurimin shëndetësor, ku aty e kam plotësuar edhe formularin. Këto dokumente ia kam dhënë vëllait dhe vizën e mora”, ka thënë dëshmitari.
Pasaportën së bashku me vizë dëshmitari tha se vëllai i tij ia kishte sjellë pas një muaji, me të cilën vizë tha se kishte udhëtuar dy herë në Gjermani, ndërsa bashkëshortja e tij në Zvicër.
“Vëllai më ka thënë se i ka kryer të gjitha pagesat lidhur me procedurën e nxjerrjes së vizës. Ai ka qenë aktivist i LDK-së dhe ka qenë këshilltar i të ndjerit Ibrahim Rugova”, ka thënë dëshmitari.
I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku se pse kishte aplikuar në këtë mënyrë e jo sipas procedurave të rregullta për pajisje me vizë, dëshmitari ka thënë se nuk e din.
Lidhur me letrën garantuese të shkruar nga Ukë Rugova e cila është pjesë e shkresave të lëndës, dëshmitari ka deklaruar se asnjëherë nuk e kishte parë këtë letër garantuese.
Dëshmitari i tretë i dëgjuar në këtë seancë, Luard Loxhaj ka thënë se gjatë vitit 2010 kishte punuar si roje sigurimi në familjen Rugova dhe se ka pasur nevojë që të pajiset me vizë për ta dërguar nënën jashtë shtetit për shërim, por sipas tij, mundësia ishte e vogël dhe se nuk kishte kohë të pritej për zbatimin e procedurave për pajisje me vizë.
Për këtë arsye, ai tha për shkak se në atë kohë ka qenë aktivist i LDK-së dhe ishte njohur me Ukë Rugovën dhe familjen Rugova, i kishte kërkuar ndihmë Ukë Rugovës që ta pajisë me këtë vizë, e cila i ishte dashur urgjent.
Pas kësaj, ai tha se Ukë Rugova ia kishte kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim për vizë si: pasaportat, dy fotografi, certifikata e lindjes, ndërsa sipas dëshmitarit, atij nuk i është kërkuar asnjë pagesë për pajisjen me vizë.
Dokumentacionin e kompletuar dëshmitari ka thënë se ia kishte dërguar sigurimit të familjes Rugova dhe pas disa ditësh tha se ishte pajisur me vizë, të cilën tha se e kishte marrë te sigurimi.
Asnjërit të akuzuar tha se nuk i ka dhënë para e as nuk i ka kryer ndonjë shërbim për pajisjen me këtë vizë italiane.
Dëshmitari Fidan Hasani ka thënë se babai i tij të akuzuarin Qefser Baholli e ka djalë të hallës, ndërsa me të akuzuarit tjerë ka deklaruar se nuk ka lidhje farefisnore.
Ai ka thënë se ende punon për familjen Rugova, dhe se për familjen Rugova kishte punuar edhe axha i tij, i cili kishte ndërruar jetë N.H., i cili sipas dëshmitarit ia kishte siguruar vizën italiane shengen.
Sipas tij, dokumentacionin e nevojshëm ia kishte dorëzuar atij, ndërsa personalisht ka thënë se nuk i kujtohet nëse kishte plotësuar ndonjë aplikacion për aplikim me vizë.
Për sigurimin e kësaj vize tha se nuk është në dijeni nëse axha i tij kishte paguar diçka, pasi sipas dëshmitarit ai ishte marrë me të gjithë procedurën dhe se në fund pasaportën së bashku me vizë ia kishte sjellë axha i tij, N.H.
Me këtë vizë tha se kishte udhëtuar në Gjermani.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 4 shkurt 2020, në ora 09:00.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.
Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikator.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.
Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Ky rast tashmë është ndarë në dy pjesë pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. Ukë Rugova, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri janë duke u gjykuar veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.












