Kryetari i Supremes për gjuhën seksiste të Gjykatës në Gjilan: Do të shohim a ka pasë sjellje të pahijshme

Gjykata Supreme e Kosovës do të shqyrtojë pretendimet e ngritura për përdorimin e gjuhës paragjykuese, seksiste dhe ofenduese në një aktvendim dhe arsyetim të aktvendimit të dalë nga Gjykata Themelore e Gjilanit. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci. Shqetësimet për përdorimin e kësaj gjuhe […]
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.
Shqetësimet për përdorimin e kësaj gjuhe janë ngritur nga shoqëria civile, pas raportimit që ka bërë portali “Betimi për Drejtësi” në emisionin me titull “Seksizmi në vendimin e Gjykatës së Gjilanit”, të publikuar më 4 dhjetor të këtij viti.
Në emision është folur për aktvendim dhe arsyetimin e vendimit që ka dalë më 2014 nga trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari, Aziz Shaqiri dhe anëtarët e këtij trupi, gjyqtarët Naser Maliqi dhe Ramiz Azizi, në Gjykatën Themelore në Gjilan, i cili aktvendim kishte liruar katër të akuzuar nga Prokuroria për dhunën seksuale ndaj një gruaje. Gjuha e përdorur në aktvendim dhe në arsyetimin e tij, pretendohet të jetë “paragjykuese, seksiste dhe ofenduese” ndaj të dëmtuarës.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, thotë se si autoritet kompetent, ka kërkuar informacionet shtesë nga “Betimi për Drejtësi” për të parë nëse ka pasur sjellje të pahijshme eventuale të pasqyruara në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.
“Si autoritet kompetent, do t’i shikoj të gjitha, dokumentacionin dhe emisionin, si dhe do të ndërmarrim veprime ashtu siç e parasheh edhe ligji, nëse ka elemente të sjelljes së pahijshme të bartësve të funksioneve gjyqësore në këtë rast”, thotë Peci.
Rasti dhe çfarë thuhet në aktvendimin e gjykatës
Siç ka raportuar “Betimi për Drejtësi”, në nëntor të vitin 2012 një grua kishte raportuar në Policinë e Kosovës se kishte qenë viktimë e dhunimit nga pesë persona, në vende të ndryshme, gjatë muajit maj të po atij viti.
Deklaratën e të dëmtuarës, Prokuroria e ka shndërruar në aktakuzë ndaj pesë personave për dhunim seksual.
Më 25 shkurt 2013, Gjykata Themelore në Gjilan, kishte shpallur aktgjykim dënues dhe të pandehurit i kishte dënuar me burgim efektiv. Një i akuzuar në këtë rast ishte dënuar me burgim efektiv prej dy vjetësh. Tre të tjerë u dënuan me nga një vit burgim efektiv dhe një tjetër me nëntë muaj burgim efektiv.
Ndaj aktgjykimit, Prokuroria e Gjilanit dhe mbrojtja e të akuzuarve ishin ankuar në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit e kishte anuluar aktgjykimin, duke e rikthyer lëndën në rigjykim.
Rigjykimin e ka udhëhequr gjyqtari Aziz Shaqiri, si kryetar i trupit gjykues, si dhe Naser Maliqi dhe Ramiz Azizi, si anëtarë të trupit gjykues. Për njërin të akuzuar, procedura ishte veçuar. Ndërkaq, e dëmtuara nuk kishte arritur të gjendet nga gjykata dhe nuk kishte dëshmuar në rigjykim. Deklarata e saj e dhënë në polici ishte administruar si provë nga gjykata.












