Kurti numëron ‘vetitë’ e Vitisë: Ishte ministri im kryesor, fshihet prapa sukseseve tona

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar me fushatën zgjedhore për Arben Vitinë – kandidatin e partisë së tij për të parin e kryeqytetit. Në fjali të zakonshme fushate, Kurti ka thënë që Prishtina “e ka dashur gjithnjë Vetëvendosjen” edhe pse, në fakt në zgjedhjet e vitit 2011 nuk kanë marrë rezultat të […]
Në fjali të zakonshme fushate, Kurti ka thënë që Prishtina “e ka dashur gjithnjë Vetëvendosjen” edhe pse, në fakt në zgjedhjet e vitit 2011 nuk kanë marrë rezultat të kënaqshëm.
“Arbeni është i Lëvizjes, Arbeni është i qytetarëve dhe i fshatarëve, është i burrave dhe i grave të Prishtinës. Arbeni nuk është i prapaskenave, nuk është i reklamave e i zhurmave, nuk është i arrogancës i mburrjes.” – ka deklaruar kryeministër Kurti, përcjell Periskopi.
Më poshtë keni fjalën e tij të plotë për Vitinë:
Të dashur qytetarë,
Të nderuar miq, aktivistë e zyrtarë,
Prishtina e ka dashur gjithnjë Vetëvendosjen. Si kryeqytet ajo ka qenë vend i demonstratave të mëdha, por edhe vend i fitoreve të mëdha. Në Prishtinë jemi themeluar, në Prishtinë e kemi marrë dhe fitoren e parë lokale, e në Prishtinë, sa herë kemi garuar, kemi fituar.
Qytetarët e Prishtinës kanë dashur nderin dhe punën, zhvillimin dhe transparencën, prandaj e kanë votuar Lëvizjen.
Prishtinasit e duan kombin, prandaj kanë votuar me ngjyrat e flamurit kombëtar Vetëvendosjen.
Prishtinasit duan kulturën dhe dijen, duan institucione të forta, duan shërbim evropian, dhe duan përkujdesje për ata që kanë nevoja të veçanta.
Por, është bërë e qartë se nuk mjafton njeriu për ta sjellë ndryshimin, duhet edhe organizata e struktura e moralshme që e mban njeriun në vijën e duhur qytetare e politike.
Me Arbenin, kjo është e garantuar. Arbeni është i Lëvizjes, Arbeni është i qytetarëve dhe i fshatarëve, është i burrave dhe i grave të Prishtinës. Arbeni nuk është i prapaskenave, nuk është i reklamave e i zhurmave, nuk është i arrogancës i mburrjes.
Prandaj është nder të prezantoj Arben Vitinë si kryetarin e ardhshëm të Prishtinës. Deri dje ishte vartësi imi, por punoi aq mirë, sa që nesër unë dua ta kem kryetar. Deri dje isha unë që e merrja vendimin përfundimtar për të, por aq me përgjegjësi i kreu detyrat Arben Vitia, sa që nesër unë ndihem i sigurt që ai të marrë vendimet për mua, për familjen time, për të gjithë ne.
Beni, nuk flet shumë. Ai dëgjon dhe kryen punë. Gjatë qeverisjes sime, Arben Vitia ishte shpesh thirrja ime e parë në mëngjes dhe një nga të fundit natën vonë.
Ekspertiza, këmbëngulja dhe njerëzorja e Arben Vitisë si Ministër i Shëndetësisë, jo vetëm që na kanë ndihmuar të menaxhojmë një krizë globale gjatë një pandemie, por gjithashtu kanë vendosur një standard të ri për “atë që është e mundshme” në shtetin tonë.
Ai e ka butësinë e mjekut popullor, por nervat e çelikta të një gjenerali të ushtrisë. Dhe, një kurriz prej hekuri: unë nuk mund të imagjinoj askënd tjetër që do të ishte në gjendje të negociojë pa u lodhur e me aq durim për vaksinat tona nga Pfizer, ndërkohë që përjetonte sulmet më të ashpra e shpifjet më të ulta.
Ai nuk tha shumë. Ai bëri shumë. Pa premtime boshe, mirëmbajti besimin.
Në pandemi, unë isha kryeministër, por Beni ishte ministri kryesor. Ai ka qenë pas kaq shumë sukseseve tona, është koha që edhe ne të qëndrojmë pas atij. Është çështje reciprociteti, për të qenë i sinqertë.
Arbeni do të marrë njohuritë, motivin dhe gjykimin e tij për të shërbyer njerëzit e Prishtinës, dhe ky është evolucioni i natyrshëm për një nëpunës publik si Arben Vitia.
Prishtina është vendi logjik që Arbeni të zbatojë vërtet vizionin e tij për një qytet më të sigurt, më të shëndetshëm dhe për këtë arsye më të zhvilluar.
Ndryshimi në Republikë dhe progresi i Republikës, të arriturat e tanishme dhe të ardhshme të Republikës e qeverisë sonë, duhet të shihen e ndjehen në komunë, në kryeqytet, në Prishtinë.
Në nivelin bazik ne shohim natyrën e ndërlidhur të problemeve tona: transporti është shëndeti, arsimi është ushqimi, e kështu me radhë, dhe këto e kupton mirë Arbeni.
Prishtina njëmend ka shumë probleme por Beni është ilaçi. Unë e njoh atë. Jam i entuziazmuar e i emocionuar për gjërat që do të arrijë në qytetin tonë.
Do të ketë gjëra, do të ketë raste, kur Prishtinës do t’i duhet pushteti qendror, për shembull: Strehimi i përballueshëm, Unaza e Brendshme, Rruga A, Dyfishimi i çerdheve, Salla koncertale, Revitalizimi i Qendrës Historike, Zhvillimi i poleve ekonomike, Stadiumi i Ri, Pishina Olimpike, Renovimi i Pallatit të Rinisë, Ndarja e ujërave atmosferike nga kanalizimet, Kolektorët e rinj etj. etj. … dhe Beni përherë do të jetë në gjendje të më telefonojë dhe të ma shpjegojë, dera është gjithmonë e hapur, telefoni im është gjithnjë në dispozicion.
Programi i Arben Vitisë, por edhe lista e kandidatëve për Kuvendin e Prishtinës, është gjithëpërfshirëse.
Aty e gjejnë veten edhe moshat e treta, gjyshërit dhe gjyshet, që shpesh shoqëria jonë i trajton si të padukshëm.
Por edhe fëmijët e vegjël, e natyrisht adoleshentët, të rinjtë, dhe ne që jemi në moshë të punës e që duhet të punojmë pa u lodhur, pa e lënë kohën të na ikë.
Arben Vitia është njeri modest dhe njeri pajtues.
Nuk kemi kohë për konflikte të vogla e të kota, sepse Kosova duhet të ecë përpara shpejt që të kapë vendet e tjera. Prishtina duhet të ecë përpara shpejt që të kapë kryeqytetet e rajonit.
Me Ministrinë e Shëndetësisë Arben Vitia e bëri këtë, e gjeti vendin të fundit në rajon sa i përket vaksinimit, dhe e la të parin në rajon, duke lënë pas vetes edhe vende të Bashkimit Evropian, si Kroacia e Bullgaria, sa i përket përqindjes së vaksinimit.
Beni është qytetar i sinqertë dhe korrekt, njeri që e mban fjalën. Kur ishte në ministri, asnjë ditë nuk doli në fushatë. Kur të jetë në komunë, do të jetë po aq i përkushtuar, 100% në funksion të Prishtinës. Por asgjë, as edhe një grimë, nuk do të jetë e vërtetë, asgjë nuk do të zgjasë, derisa të mos votojmë për këtë vizion që të bën të jesh një qytet, të jesh një shtet. 14 shkurtit i duhet 17 tetori. E, Beni na duhet kryetar.
Kemi arritur deri këtu dhe akoma jemi në fillim. Kjo punë do të marrë shumë duar dhe shumë vite. Por, ne mund dhe do ta arrijmë, e do të fitojmë së bashku.
Ju falemnderit.












