JAVA: U dëshmua se nuk mund t’i besohet një politikani që i han fjalët e veta përditë

Sot përfundon një javë e mbushur me ngjarje të ndryshme në Kosovë, e të cilat gjeneruan intepretime edhe më të ndryshme mbi realitetin. Çka ndodhi? Java nisi me pjesëtarët e Njësisë Speciale të vendosur në Jarinje e Bërnjakë, që sipas kryeministrit po ruanin policët kufitarë në zbatimin e vendimit për targat. Dita e tetë, e […]
Java nisi me pjesëtarët e Njësisë Speciale të vendosur në Jarinje e Bërnjakë, që sipas kryeministrit po ruanin policët kufitarë në zbatimin e vendimit për targat. Dita e tetë, e nëntë, e dhjetë, e njëmbëdhjetë e deri te e trembëdhjeta.
Por, të vendosur në bllokimin e rrugëve kufitare ishin fatkeqësisht edhe protestuesit serbë, të cilët provokonin e ofendoninin policët tonë specialë, e me këtë edhe dinjitetin e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, rrugët e kontrabandës vijonin e vijojnë të mbeten të hapura për transportimin e mallrave dhe financimin e këtyre strukturave kriminale në veri të vendit.
Çka po bënte Albin Kurti?
Duket e tepërt tashmë t’i përmendim një nga një qëndrimet e shumta të shkelura nga kryeministri Kurti. Por, kësaj here ai nuk po shkelte vetëm qëndrimet e tij por edhe qëndrimet e Republikës së Kosovës.
Kosova duhej të negocionte me Serbinë që situata e krijuar në veri të vendit të zhbllokohej. U desh të nisej një delegacion për një Bruksel, në krye me Besnik Bislimin [zv.kryeministër], në mënyrë që Kosova ta zgjidhte bllokadën e saj të brendshme përmes një shteti tjetër.
Ndoshta për të parën herë, Kosova duhej t’i thoshte JO negociatave me Serbinë – sepse prekej në mënyrë direkte sovraniteti i saj, por kjo nuk ndodhi.
Në Bruksel, ngjarjet eskaluan edhe më keq. Kosova u desh të bënte kompromise shumë të dhimbshme në dëm të funksionalitetit shtetëror.
Qeveria e Kosovës vendosi të pranonte targa të paligjshme të lëshuar nga strukturat paralele. Po ashtu, u desh të barazoheshin pjesëtarët e Njësisë Speciale me protestues të paguar nga strukturat paralele kriminale që kishin bllokuar rrugën. Gjatë të shtunës, ‘specialsat’ u larguan njëkohshëm me këta bllokues rruge derisa autoriteti iu dorëzua KFOR-it në një precedent shumë të rrezikshëm për vendin.
Kryeministri Kurti deklaroi që “tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me Reciprocitet”pas arritjes së marrëveshjes katastrofale për Kosovën, por që në fakt, e nisi epokën e theksimit të ndarjes së vendit.
Në anën tjetër, partitë e mëdha opozitare [PDK e LDK] ishin tepër të përqendruara në fushatat elektorale dhe nuk e protestuan gjatë e me forcë atë që ndodhi.
“Rakiqi i mirë”
Pikërisht gjatë kësaj jave, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbrojti ministrin e tij të Listës Serbe, Goran Rakiqin – edhe pse ky i fundit po nxiste protestuesit në veri të Kosovës në një tjetër veprim krejtësisht të pakuptueshëm e të papritshëm nga një kryeqeveritar kosovar.
Tashmë, situata në veri të Kosovës është shtensionuar dhe serbët e Veriut janë trimëruar duke kërkuar çdo ditë e më tepër Asociacionin e Komunave me Shumicës Serbe (Zajdenicën) dhe duket se shqiptarët e Kosovës kanë mbetur pa përfaqësim kredibil politik që do ta kundërshtonte këtë kërkesë.
Kjo javë e bëri edhe më të qartë se nuk mund t’i besohet një politikani që ka ndërruar qindra fjalë gjatë karrierës së tij politike. /Periskopi












