E konfirmuar: Kapet KEK-u, anëtari i VV-së emërohet kryeshef ekzekutiv

Gjatë ditës së djeshme u raportua së anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të emërohet Kryeshef Ekzekutiv në korporatën elektronergjetike të Kosovës, gjë e cila është konfirmuar sot nga kjo korporatë. Sipas burimeve të Gazetës Metro, intervistimi i kandidatëve për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës është bërë të premtën ndërsa sot edhe […]
Sipas burimeve të Gazetës Metro, intervistimi i kandidatëve për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës është bërë të premtën ndërsa sot edhe është bërë zyrtare që për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energetike të Kosovës është përzgjedhur kandidati Nagip Krasniqi.
”Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) të KEK sh.a njofton se për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energetike të Kosovës është përzgjedhur kandidati më i suksesshëm z.Nagip Krasniqi. Gjatë javës se kaluar janë zhvilluar procedurat e intervistimit për të gjithë kandidatët potencial të cilët i kishin përmbushur kriteret e parapara në shpalljen publike dhe z. Nagip Krasniqi ka marë vlerësimin më të lartë si nga Bordi ashtu edhe nga Partneri zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike.”, thuhet në komunikatën e KEK.
Nagip Krasniqi është njëherit anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheq brenda këtij subjekti politik, sektorin e Komitetit për Energji dhe shpesh është parë i shoqëruar nëpër takime e nëpër aktivitete të ndryshme ku është folur për energjinë, shkruan Gazeta Metro.
Emri i Nagip Krasniqit është përmendur shumë vite më parë si njëri nga personat që ishte cak i hetimit nga Njësia e Krimeve Ekonomike, gjithashtu duke qenë pjesë e KEK’ut.
Në anën tjetër, burimet e njëjta kanë thënë për Metro se përveç kësaj, Lëvizja Vetëvendosje ka “deleguar” si Ushtrues Detyre në Zyrën Ligjore të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës ish-asamblistin e vet në Prishtinë dhe ish-këshilltarin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Milot Podvoricën.
Nga ky burim i kanë thënë Metros se kjo përben nepotizëm të shkallës së lartë pasi babai i Milotit, Rexhep Podvorica i cili tashmë është pjesë e KEDS’sit dhe i emëruar në Bordin e Ibër Lepencit ka qenë më herët pjesë e KEK’ut e gjithashtu në KEK ka punuar edhe e ëma e Milot Podvoricës që tani ka kaluar në KOSTT.
Podvorica, kishte qenë pjesë e zyrës ligjore të KEK’ut, ndërsa e kishte lënë këtë pozitë me t’u emëruar këshilltar politik i Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia në qeverinë Kurti 1, por me të rënë qeveria Kurti 1, Podvorica ishte kthyer në pozitën e tij në KEK, për t’u avancuar më tej si Ushtrues Detyre.
Qeveria Kurti që prej ardhjes në pushtet gjatë dy qeverisjeve ka treguar se di të bëjë punësime partiake, madje në pozitat më të larta nëpër Ndërmarrje Publike, ndonëse këtë e bën në emër të “çkapjes”, ndërsa “kapjen” e bordeve nga njerëzit e vet e arsyeton me “profesionalizmin” e të emëruarve.
Komunikata e plotë nga KEK:
Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) të KEK sh.a njofton se për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energetike të Kosovës është përzgjedhur kandidati më i suksesshëm z.Nagip Krasniqi. Gjatë javës se kaluar janë zhvilluar procedurat e intervistimit për të gjithë kandidatët potencial të cilët i kishin përmbushur kriteret e parapara në shpalljen publike dhe z. Nagip Krasniqi ka marë vlerësimin më të lartë si nga Bordi ashtu edhe nga Partneri zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike.
BPD bazuar në kompetencat që rrjedhin nga Ligji për ndërmarrjet publike ka shpallur konkursin për Kryeshef Ekzekutiv (KE) të KEK sh.a. i cili ka qenë i hapur për një muaj dhe është mbyllur me dt: 23.08.2021. Në këtë drejtim, BPD si përfaqësues i aksionarit (Qeverisë), ka udhëhequr një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese ne pajtim me Ligjin e Ndërmarrjeve Publike. Ky proces është mbështetur nga Partneri i jashtëm zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese, konform memorandumit të bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe është monitoruar nga përfaqësues të BIRN-it.
Në këtë vazhdë, duke qenë se KEK-u është një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik në vend dhe e vetmja ndërmarrje e cila operon me bilanc pozitiv, si dhe me qëllim të sigurimit të konkurrencës nga sa më shumë kandidatë profesionist të kësaj fushe, BPD dhe aksionari, respektivisht Ministria e Ekonomisë në vazhdimësi kanë bërë ftesë për gjithë kandidatët potencial që plotësojnë kriteret profesionale dhe të pavarësisë të aplikojnë duke i siguruar që përzgjedhja do të bëhet ekskluzivisht në bazë të meritokracisë. BPD njofton se për pozitën e Kryeshefit Ekzekutivë të KEK-ut, kanë aplikuar 34 kandidatë. BPD dhe aksionari janë shprehur të kënaqur që ftesës së vazhdueshme të tyre i janë përgjigjur pozitivisht një numër i madh i kandidatëve potencial.












