Zekaj për mos-certifikimin e Kurtit: Ankesa në Supreme, pastaj në Kushtetuese ku mund të zgjas 2-3 muaj

Yll Zekaj nga Betimi për Drejtësi ka sqaruar për Periskopin atë që pritet të ndodh pas vendimit të PZAP-it për refuzimin e pjesshëm të ankesës së Vetëvendosjes. Ndalimi i kandidimit për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit për Albin Kurtin është tema më e nxehtë aktuale – me partinë Vetëvendosje që po kërkon të fitojë […]
Ndalimi i kandidimit për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit për Albin Kurtin është tema më e nxehtë aktuale – me partinë Vetëvendosje që po kërkon të fitojë sa më shumë vota përmes kundërshtimit të çështjes.
PZAP vendosi kundër ankesës së saj, duke i ndaluar kandidimin edhe Albin Kurtit – ndër tjerë.
Yll Zekaj nga Betimi për Drejtësi ka thënë për Periskopin se mbyllja e procesin ankimor mund të zgjas 2-3 muaj nëse edhe Gjykata Supreme vendos në favor të Komisionit Qendror Zgjedhor [KQZ].
“Vendimi i PZAP, ka qenë i pritur që faktikisht e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Tani kemi situatën kur partitë politike edhe kandidatët të cilët nuk janë të kënaqur me vendimet e PZAP-it, kanë të drejtë që brenda 24 orëve të shprehin ankesë në Gjykatën Supreme. I njëjti [Supremja] pastaj ka afat tri ditë që të merr vendim lidhur me këto ankesa -dhe në këtë rast që përfshin deri më datën 31 janar – mbyllet i gjithë procesi ankimor lidhur me procesin zgjedhor dhe fillon faza e dytë që është ajo, ku mund të iniciojnë procedurë në Gjykatën Kushtetuese për shkelje kushtetuese e që nuk e ndalojnë organet zgjedhore që të procedojnë zgjedhjet e 14 shkurtit edhe pse pastaj Gjykata Kushtetuese mund të merr vendim hipotetikisht pas 2-3 muajsh, kjo e drejtë edhe nëse është e fituar, nuk do të mundë të shtyjë ose ndalojë këtë proces”, ka thënë Yll Zekaj.
Meqë Vetëvendosje ka refuzuar t’i zëvendësojë kandidatët e dënuar në 3 vitet e fundit siç e kërkonte KQZ-ja, tashmë nuk do të ketë të drejtë të zëvendësojë ata. Gjë që vlen edhe për partitë e tjera me ankesa të hedhura poshtë. /Periskopi












