Vendimi për moscertifikimin e disa partive politike: Çka ndodhë tutje?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka certifikuar listat zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate. Arsye për këtë ka qenë mos zëvendësimi i kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin. Subjektet politike dhe kandidatët që vlerësojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar, kanë të drejtë ankese në […]
Subjektet politike dhe kandidatët që vlerësojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar, kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku sipas deklaratës së PZAP, pavarësisht kësaj, partitë të cilat s’iu janë certifikuar listat ende s’janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj për Periskopin ka sqaruar se çka mund të ndodhë tutje.
Ai tha se duke u bazuar në atë se vendimi i PZAP bazohet në ligj dhe vendimin e GJK, me shumë mundësi ky organ mund të lejoj certifikimin e vetëm kandidatëve që si prek vendimi i GJK, shkruan Periskopi.
“Sikur partitë politike të respektonin ligjin, procedurën dhe autoritetin e KQZ si institucion kushtetues, do të duhej të certifikohen listat e kandidatëve që s’kanë asnjë paqartësi apo dyshime se janë të papërshtatshëm për tu certifikuar si kandidatë për deputetë sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast do të kishim të certifikuara të gjitha partitë politike dhe listat e kandidatëve të pa kontestuar. Kandidatët e pa certifikuar pastaj do të shfrytëzonin të drejtën e ankesës në PZAP. Sidoqoftë, brenda 24 orëve nga momenti kur partitë pranojnë vendimin e KQZ që iu kufizohet certifikimi i listës së propozuar, mund të atakojnë të njejtin në PZAP, i cili organ në bazë të dosjeve për secilin kandidat dhe parti politike vendos nëse do të certifikoj listat e plota si janë dërguar nga partitë politike, apo vetëm kandidatët që nuk janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit dhe Vendimin e GJK”, ka sqaruar Miftaraj
“Duke marrë për bazë faktin se vendimi i PZAP duhet të jetë i bazuar në ligj dhe vendimin e GJK, me shumë mundësi ky organ mund të lejoj certifikimin e vetëm kandidatëve që si prek vendimi i GJK.”, ka thënë ai.
Miftaraj ka thënë se listat e partive politike mund të mos kalojnë procesin e certifikimit vetëm në rast se partitë politike nuk e shfrytëzojnë të drejtën në ankesë në PZAP.
“Për publikun me rendësi është se listat e partive politike mund të mos kalojnë procesin e certifikimit vetëm në rast se partitë politike nuk e shfrytëzojnë të drejtën në ankesë në PZAP”, shtoi ai.
Ndryshe, listat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike dhe Listës Srpska janë certifikuar nga ana e KQZ-së./PERISKOPI/B.Hoti/












