Trepça dhe Ujmani mund të jenë temë në tryezën e Washingtonit

Dy nga resurset më të rëndësishme dhe vitale për Kosovën, siç është Trepça dhe Ujmani pritet të jenë temë e negociatave nesër në takimin e 4 shtatorit në Uashington ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, raporton KosovaPress. Do të ishte fatkeqësi të diskutohet për këto dy pasuri kombëtare, ka thënë profesori […]
Dy nga resurset më të rëndësishme dhe vitale për Kosovën, siç është Trepça dhe Ujmani pritet të jenë temë e negociatave nesër në takimin e 4 shtatorit në Uashington ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, raporton KosovaPress.
Do të ishte fatkeqësi të diskutohet për këto dy pasuri kombëtare, ka thënë profesori universitar Mazllum Baraliu, derisa tregon se ka informacione të besueshme që do të diskutohet edhe për Trepçën dhe Ujmanin ndërmjet palës kosovare dhe serbe në Uashington dhe më 7 shtator në Bruksel.
Njohës të politikës së jashtme kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të jetë e kujdesshme duke mos toleruar në asnjë formë që të vihet në tryezë të diskutimeve Ujmani dhe Trepça.
Ndonëse, eksperti për ekonomi që mbështet delegacionin kosovar, Muhamet Mustafa ka thënë për KosovaPress se nuk ka asnjë rrezik për pasuritë nacionale të Kosovës, pasi sipas tij, të gjitha argumentet janë në anën e Kosovës.
Megjithatë, sipas Mustafës fokusi në këto negociata do të jetë për bashkëpunim ekonomik, që nuk përjashtohet mundësia eventuale e kërkesave të ndryshme nga Serbia.
E profesori universitar Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress se me këtë delegacion, nuk mund të pritet që të ketë ndonjë përfaqësim të denjë, të mirëfilltë dhe serioz. Teka shtojë se mund të pritet çdo gjë e befasishme, por edhe që mund të jetë në dëm të Kosovës.
Ndërsa, hulumtuesi në “Demokracy Plus”, Emir Abrashi thotë për KosovaPress se në këtë proces, Kosova duhet të jetë e hapur për një marrëveshje, mirëpo nuk duhet doemos të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje që i vihet përpara përfshirë këtu edhe për pasuritë nacionale.
Abrashi shton se edhe pse publikisht është thënë se nuk do të vihen në tryezën e diskutimeve Trepça dhe Ujmani, pala serbe ka interes që t’i qes në diskutim këto dy çështje.
Hulumtuesi në “Demokracy Plus”, Abrashi shton nuk sheh asgjë të keqe për idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike në veriun e Kosovës, por thekson se kjo duhet të bëhet me marrëveshje të ndërsjellë dhe nën menaxhimin e Republikës së Kosovës.












