Nga ‘freni që bënte xixa’ te ‘gjithkush ka të drejtë të infektohet’ – Stilistika e njoftimeve të IKShP-së

“Virusi nuk është ëndërr”, ‘…situatën po e mbajmë nën kontroll me një fre që po bën xixa”, ‘gjithkush ka të drejtë të infektohet’. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u bë një nga institucionet më të njohura e të kërkuara në rrjete sociale – përkatësisht në Facebook – që kur në Kosovë u shënua rasti i […]
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u bë një nga institucionet më të njohura e të kërkuara në rrjete sociale – përkatësisht në Facebook – që kur në Kosovë u shënua rasti i parë pozitiv me koronavirus.
Këtij institucioni shëndetësor, që prej fillimit të pandemisë, i janë shtuar mjaft shumë edhe pëlqimet në faqen zyrtare në Facebook. Por ajo që e ka karakterizuar këtë institucion shëndetësor gjatë këtyre muajve ka qenë edhe gjuha / stilistika përmes të cilës janë lëshuar njoftimet e përditshme dhe thirrjet për kujdes.
Në fillim të pandemisë, kur Kosova kishte një numër të vogël të të infektuarve, ky Institut ishte bërë i famshëm për shprehjen: “…situatën po e mbajmë nën kontroll me një fre që po bën xixa”.
Në fakt, një shprehje e tillë lexohej këndshëm nga shumë prej nesh, duke qenë se ishte një shprehje figurative që Instituti po e përdorte për punën e madhe (sic) ia atribuonte vetes që po e bënte atë kohë. Pra imagjinojeni: një fre që po bën xixa…Është një shprehje mjaft dramatike për ta përshkruar situatën para se freni ‘ta lëshojë krejt’ (të mos punojë më) dhe kur freni nuk punon, e dimë se cka na gjenë.
Më pas, Instituti do të bëhej sërish temë për shprehjet gjuhësore ose stilistikën që do të përdorte për të përshkruar situata të tjera të rënda e thirrje e thirrje të tjera për kujdes. Një ndër to, ishte përshkrimi me ‘fëmijën që dëshiron të rritet me prind’. Një shprehje ku Instituti fliste në veten e parë, si fëmijë, që u bënte thirrje qytetarëve për kujdes e respektim të masave. Po përvec kësaj, nuk është se linte ndonjë shije të mirë ajo thirrje. ‘Unë jam fëmijë, dëshiroj të rritem me prindër” (Kështu dicka ishte).
Një shprehje tjetër, ishte edhe ajo …’virusi nuk është ëndërr’. Edhe për fjali të tillë, Instituti ishte kritikuar, pasi po lëshohej në shprehje shumë letrare e pak shkencore.
Mund të ketë edhe dhjetëra shprehje të tjera të IKShP-së, që studentë të gazetarisë ose ata të Gjuhës shqipe, mund t’i marrin për studim në stilistikë, por sonte, ky Institut kulmoi me shprehjen: “Gjithkush ka të drejtë të infektohet”.
Një shprehje e tillë, nuk ka asnjë kuptim (përvec se qesharak) në gjuhën shqipe, e sidomos në situatën dhe kontekstin në të cilin është përdorur. Do të kishte logjikë, sikur të shkruhej ose thuhej se ‘gjithkush ka të drejtë të testohet’, por se ‘gjithkush ka të drejtë të infektohet’, kjo, nuk besojmë se i gjindet diku ndonjë kuptim.
T’i thuash ‘servilizëm gjuhësor’? Nuk e dimë. /Dafina Demaku/Periskopi/












