Albin Kurti prezanton shifra të çuditshme nga ASK: 70 për qind e kosovarëve s’mund të shkojnë në pushime

Ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook ku ka përmendur disa shifra të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e ku tregohet varfria e qytetarëve të vendit. Edhe në këtë rast ai ka kërkuar zgjedhje të reja. Fajtore për varfërinë e qytetarëve Kurti i […]
Fajtore për varfërinë e qytetarëve Kurti i lë të gjitha pushtetet e deritashme.
“Mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore. Qeveritë para nesh kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët. Qeveria sot është kot.” – shkruan ai, përcjell Periskopi.
Disa prej këtyre shifrave janë vërtetë shqetësuese, ku përfshihet ajo se 69,5 për qind e qytetarëve nuk mund ta përballojnë as një javë pushimi larg shtëpisë në vit, ani që shifrat e njerëzve që shkojnë për pushime nga Kosova mund ta kontestojnë një gjë të tillë.
Për më tepër, në këto statistika thuhet se 35,4 për qind e familjeve në Kosovë nuk kanë kompjuter – edhe pse besohet që Kosova ka mbulueshmërinë më të lartë me internet në Evropë (afër 80 për qind).
Statusi i plotë:
Mjerimi si shifër e shtetit
Në Kosovë jetohet keq. Janë shqetësuese të gjeturat sociale sipas anketës të publikuar së fundi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Rezultatet janë për të ardhurat dhe kushtet e jetesës në Kosovë në vitin 2018. E gjendja mund të jetë veçse e përkeqësuar që prej atëherë.
– Për 53.4% e ekonomive familjare janë barrë e rëndë shpenzimet për strehim dhe banim;
– Më shumë se çdo e pesta familje ka probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa, kornizat e dritareve dhe dysheme të kalbur;
– 69.5% nuk mund ta përballojnë një javë pushimi larg shtëpisë;
– 61.3% nuk mund ta përballojnë shujtën me mish, pulë dhe peshk çdo të dytën ditë;
– 47.3% nuk mund ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro;
– 35.4% nuk kanë kompjuter;
– 40.2% nuk janë në gjendje të përballojnë mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë në mënyrë adekuate;
– 61.3% e kanë barrë të rëndë kthimin e kredisë;
– 78.3% kanë vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale;
– Më shumë se çdo e pesta familje në zonat urbane ka probleme me ndotje, papastërti dhe probleme të tjera mjedisore si: tymi, pluhuri, erëra të pakëndshme ose ujë të ndotur.
Mjerimi social nuk është fatkeqësi natyrore. Qeveritë para nesh kishin prioritet pasurimin korruptiv për vete dhe liberalizimin e vizave për qytetarët. Qeveria sot është kot.
Kemi mungesë të rrjetës sociale që siguron familjet në nevojë dhe kemi tepri të pandemisë që ka dalur nga kontrolli institucional.
Nevojitet model i ri ekonomik i përqendruar te punësimi dhe mjedisi e i mbrojtur nga drejtësia dhe qeverisja e mirë. Pas zgjedhjeve të reja, nis zgjidhja e këtillë. Mbase zgjedhjet po orvaten t’i vonojnë ca, pikërisht pse të gjitha subjektet ua dinë rezultatin atyre.












