JAVA: Ngjarjet domethënëse që përcaktuan gjendjen e rëndë politike e shëndetësore të vendit

Aktakuzat e paralajmëruara nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë duket se e kanë heshtur edhe skenën politikën kosovare, pa përjashtuar ndonjë parti politike. Isa Mustafa i LDK-së kërkon ta zgjerojë koalicionin qeveritar, ndërkohë që Albin Kurti i Vetëvendosjes vazhdon të mos jetë aq i pranishëm në media. Por, ajo që shqetëson […]
Por, ajo që shqetëson tej mase është rritja e numrit të rasteve të konfirmuara me Covid-19 në Kosovë. Vetëm në 24 orët e fundit i kishim 178 të infektuar të rinj, dhe hiç më pak se 12 të vdekur.
Duket se ndërgjegjja dhe solidariteti qytetar në Kosovë ka qenë thjesht një gënjeshtër. Qytetarët vazhdojnë që me papërgjegjësi të plotë të mos vënë maska, dhe të fërkojnë trupat e tyre duke qëndruar në afërsi të njëri-tjetrit.
Pas katastrofës së djeshme, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj nuk e ka thënë asnjë fjalë. Ky mund të jetë një ogur shumë i keq. Duket që kapacitetet shëndetësore në vend po zvogëlohen gjithnjë e më shumë ndërkohë që një tjetër rivendosje e masave ndaluese do t’i mëshonte shkelm të fortë ekonomisë sonë edhe ashtu të dobësuar.
Në anën tjetër, situata politike në vend nuk ka qenë ndonjëherë më e qetë se tash. Haki Abazi, ish zv.kryeministri i parë i Kosovës, u pa në një seancë gjyqi ku po akuzohej gazetarja Jeta Xharra për keqpërdorim fondesh.
Isa Mustafa, kryetari i LDK-së, po mësyn forcimin e koalicionit qeverisës duke ftuar edhe PDK-në që të bëhet pjesë e saj. Sipas Mustafës, Kosova është në rrezik të lartë dhe kjo kërkon që qeveria e vendit të jetë e fortë.
Në anën tjetër, nuk ka reagim nga Lëvizja Vetëvendosje që duket më e heshtur se zakonisht. Por, nuk ka reagim as nga PDK-ja, nëse dëshiron të përfshihet sërish në karriget e pushtetit.
Ajo që potencialisht mund të ndodh në javën e ardhshme pritet të jetë mjaft domethënëse për fatin e vendit. Në një anë, pritet të kuptohet më mirë trajektoria e viktimave dhe rasteve me Covid-19 dhe kundërpërgjigjja e re e qeverisë. Ndërsa në tjetrën, mund të merret vesh edhe përbërja e re qeveritare.
Duket se emisioni politiko-mjekësor i dikurshëm “Puls” i deputetit të VV-së dikur, Mefail Bajqinovci, me natyrën e tij të çuditshme përcaktoi edhe natyrën e gjendjes aktuale në vend: një gjendje kjo, mjaft e rënduar politiko-mjekësore. /Periskopi












